Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ua kanë vazhduar masën e paraburgimit Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Bashkim Smakajt, të cilët së bashku me Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Katër vendimet janë marrë ndaras nga gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndonëse tek rasti ku Thaçi akuzohet për krime lufte nuk është konstatuar se përbën rrezik të arratisjes, tek rasti në fjalë është konstatuar se mund të arratiset.
Kjo bazohet në atë që vendimi e specifikon: rëndësia e veprave penale për të cilat Thaçi akuzohet, qëllimet jo të mira ndaj ligjeve dhe rregullave të DhSK-së.
Përveç kësaj, përmendet edhe fakti që Thaçi vazhdon të fitojë njohuri mbi provat që mbështesin akuzat kundër tij në këtë proces. Si rrjedhojë është konkluduar se ekziston rreziku i arratisjes së Thaçit.
“Prandaj, në dritën e të mësipërmeve dhe në mungesë të ndonjë informacioni të ndërmjetëm në kundërshtim me to, Gjykatësja i procedurës paraprake konkludon se rreziku i arratisjes në lidhje me z. Thaçi vazhdon të ekzistojë”, thuhet në vendim.
Krahas rrezikut të arratisjes, në vendim thuhet se ka rrezik që Thaçi të pengojë procedurat e DhSK-së dhe të kryejë krime të tjera duke u referuar edhe në çështjen e tij për krime lufte, e cila ka rezultuar me ngritjen e aktakuzës në rastin aktual.
“…Gjykatësja e procedurës paraprake konkludon se vazhdon të ekzistojë një rrezik që z.Thaçi do të pengojë progresin e procedurave të DhSK-së”, thuhet në vendim.
Ndërsa, sipas gjyqtares, asnjë kusht i lirimit nuk mund të zbus mjaftueshëm rreziqet ekzistuese përveçse në objektin e paraburgimit në Hagë.
Për Smakajn, vendimi thekson se ka rrezik që të arratiset, të pengojë procedurat dhe të kryejë krime të tjera.
Krahas kësaj, aty thuhet se është e nevojshme që Smakaj të qëndrojë në paraburgim për shkak se asnjë prej kushteve të propozuara për lirimin me kusht nuk mund t’i zbusin mjaftueshëm rreziqet.
“…asnjë nga kushtet e propozuara atëherë nga Mbrojtja e z. Smakaj, dhe as ndonjë kusht tjetër i vendosur proprio motu, nuk mund t’i zbusë në mënyrë të mjaftueshme rreziqet ekzistuese, veçanërisht rreziqet për pengimin e përparimit të procedurave të DhSK-së dhe kryerjen e veprave të mëtejshme penale, sidomos duke marrë parasysh rrjetin e rëndësishëm të individëve me ndikim brenda rrjetit të UÇK-së dhe/ose qarqeve politike ku bën pjesë i akuzuari”, thuhet në vendim.
Gjyqtarja e procedurës paraprake nuk është bindur për lirimin me kusht të Smakajt as me garanci prej 30 mijë euro, e cila është thënë se do të paguhej plotësisht nga një palë e tretë që ka lidhje të afërta familjare me të akuzuarin, e as me kufizime në komunikim dhe lëvizje.
Ngjashëm si për të tjerët të akuzuar edhe për Smakajn, thuhet se kushtet e tilla nuk e adresojnë mundësinë që ai të përdorë pajisje komunikimi që i përkasin personave të tjerë, nuk mund të sigurohet mbikëqyrje efektive të komunikimeve të tij, e të tjera.
Ndonëse rreziku i mesazheve të paligjshme nuk mund të eliminohet plotësisht, gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se masat e vendosura në objektin e paraburgimit të DhSK-së ofrojnë garanci të forta kundër vizitave dhe komunikimeve të pambikëqyrura.
Për Kilajn, gjyqtarja e procedurës paraprake ka konstatuar se ekzistojnë arsye për të besuar se ai mund të arratiset dhe mund të pengojë procedurat e DhSK-së, e po ashtu të kryejë krime të tjera.
Gjyqtarja Masselot ka konstatuar se asnjë prej kushteve të propozuara nga mbrojtja duke përfshirë edhe shumën prej 40 mijë eurove dorëzani, raportimet e shpeshta në Policinë e Kosovës, kufizimet në komunikim dhe lëvizje, nuk mund të zbusin në mënyrë të mjaftueshme rreziqet lidhur me këtë çështje.
“Gjykatësja e procedurës paraprake konkludon se kushtet për lirimin e z. Kilaj të propozuara më parë nga Mbrojtja e Kilajt dhe/ose çdo kusht shtesë i arsyeshëm i vendosur nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake, mbeten të pamjaftueshme për të zbutur në mënyrë adekuate rreziqet sipas nenit 41 (6) (b) (i)-(iii) të Ligjit”, thuhet në vendimin për Kilajn.
Në vendim thuhet se mbrojtja gjithashtu ka parashtruar se koha që ka kaluar Kilaj në paraburgim ka të ngjarë që të kalojë çdo dënim që ai mund të marrë nëse shpallet fajtor. Ndërsa, gjyqtarja e procedurës paraprake ka rikujtuar se argumentet e tilla të mbrojtjes edhe më parë janë hedhur poshtë si spekulative dhe të papërshtatshme.
Si rrjedhojë, gjyqtarja ka konstatuar se koha që Kilaj ka kaluar në paraburgim është e arsyeshme e po ashtu ka konstatuar se i nevojshëm është edhe vazhdimi i paraburgimit në këtë fazë.
Ngjashëm edhe për Fazliun, është konstatuar se ekzistojnë baza të arsyeshme për të besuar se ai mund të arratiset, të pengojë procedurat e DhSK-së dhe të kryejë krime të tjera.
Veç kësaj, është rikujtuar se Fazliu është i gatshëm që të ofrojë garanci, megjithatë gjyqtarja ka thënë se asnjë prej kushteve të propozuara nga Fazliu nuk mund të zbusin mjaftueshëm rreziqet ekzistuese.
Vlen të theksohet se Thaçi ka kërkuar veçimin e procedurës ndaj tij derisa të përfundojë rasti ku ai akuzohet për krime lufte.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, dhe më pas i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Ndërsa, lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Pas ankesës së Prokurorisë kunder vendimit për konfirmimin e aktakuzës, atij iu është shtuar edhe një formë e përgjegjësisë për ‘nxitje’ për kryerjen e veprës penale të pëngimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Lidhur me këtë, Thaci është deklaruar i pafajshëm.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.