Resmije Uka është bashkëshortja e heroit kombëtar, Mehë Uka, i cili u vra në pritë nga policia serbe më 29 dhjetor 1996 në fshatin Lushtë, komuna e Mitrovicës. Pas vrasjes së Mehës, Resmija e gjendur në situatë të vështirë ekonomike dhe si grua e vetme me katër fëmijë, merr rrugën për në Austri. Që nga ai vit, ajo, bashkë më fëmijët jeton në Austri. Për albinfo.at zonja Resmije tregon për jetën dhe sakrificën kushtuar idealit.
Albinfo.at: Zonja Resmije, mund të na flisni pak për vetën tuaj?
R.Uka: Jam bashkëshortja e heroit Mehë Uka. Jam e lindur në fshatin Zhur, komuna e Prizrenit, shkollën fillore e kam kryer në Zhur, ndërsa atë të mesmen, drejtimi i mjekësisë në Prizren. Rrjedh nga një familje patriotike, në moshë shumë të re së bashku me vëllezërit që ishin më të rritur dhe dy motrat, kemi qenë gjithnjë në vëzhgim të policisë serbe për shkak se vepronim me grupet ilegale që ishin kundër regjimit të atëhershëm serb. Si grupe djemsh dhe vajzash nga të gjitha anët e Kosovës, që në atë kohë, ushqeheshim me shpresën e bashkimit kombëtar.
Albinfo.at: Ku dhe si u njohët në atë kohë me heroin tonë kombëtar, Mehë Ukën, dhe si u kurorëzua dashuria juaj?
R. Uka: Njohja me Mehën është në kuadër të lëvizjeve të rezistencës në atë kohë. Për herë të parë kisha dëgjuar për Mehën nga vëllezërit e mi të cilët ishin të burgosur në burgun e Prizrenit së bashku për shkak të organizimit të demonstratave në Prizren dhe Prishtinë në vitin 1981. Pas daljes nga burgu, duke qenë se një pjesë e madhe e të burgosurve ishte nga rajoni i Zhurit, kontaktet e Mehës me aktivistët e anës sonë vazhduan dhe u intensifikuan. Në ato takime, isha edhe unë ku edhe u njohëm më shumë. Pas një kohe, filluam edhe një lidhje të fortë e cila më vonë u kurorëzua me fejesë dhe martesë, me disa ceremoni modeste për shkake të kushteve të vështira financiare në atë kohë.
Albinfo.at: Erdhët nuse nga Zhuri në Shalë të Bajgorës. Si e filluat jetën në atë vend?
R. Uka: Ishin kohë të vështira edhe nën okupim, edhe materialisht nuk qëndronim mirë, por kurrë nuk ankoheshim. Pas një viti, na lindi edhe djali Dardani, që ishte një gëzim i papërshkrueshëm për familjen, e pastaj erdhën në jetë vajzat, Shota e Arta dhe djali më i vogël i cili lindi katër muaj pas vrasjes së Mehës. E pagëzova me emrin e babait të tij. Pesë vite jetuam bashkë në një harmoni të plotë me gjithë vështirësitë që kishim e unë isha gruaja më me fat në botë, sepse isha në krahët e një patrioti dhe intelektuali, e respektuar dhe e përkrahur në çdo moment. Të lexonte romane, gazeta dhe të merret me politikë një nuse në një zonë të thellë të Shalës, nuk ishte edhe e lehtë në atë kohë, por ne pavarësisht të gjitha burgosjeve maltretimeve dhe vështirësive tjera, vazhdonim në heshtje agjendën tonë.
Albinfo.at: Si e përshkruani Mehë Ukën si person dhe bashkëshort?
R. Uka: Bota shpirtërore e Mehës ishte e qetë nga natyra, i qëndrueshëm, i sinqertë, i fjalës, i besës, bindës, vizionar, i afërt me shokë, por edhe i rreptë, i ashpër e i pamëshirshëm me armiqtë. Shtëpia e tij ishte bastisur dhjetëra herë, ndërkaq vetë kishte qenë shumë herë në biseda informative, duke iu nënshtruar maltretimeve fizike e psikike. Edhe babai i tij, Rama, nuk e lëshoi shtëpinë derisa u vra nga forcat serbe.
Albinfo: Si ndodhi vrasja e heroit Mehë Uka?
R. Uka: Në mbrëmjen e 29 dhjetorit të vitit 1996 Meha, si anëtar i LKÇK-së, ishte nisur në një detyrë të caktuar për në Prekaz të Epërm për të biseduar me krerët e UÇK-së në lidhje me bashkimin e aktiviteteve në mes LKÇK-së dhe UÇK-së. Duke u kthyer për në Mitrovicë, natën vonë, vritet në mënyrë tinëzare në një pritë nga policia serbe në fshatin Lushtë, në hyrje të Mitrovicës. Se si u identifikua, si e dinte policia serbe kohën kur ai udhëtonte në këtë rrugë, mbeten ende të pasqaruara.
Albinfo.at: Pas vrasjes së Mehës, si ishte jeta juaj në atë kohë në Kosovë?
R. Uka: Vrasja e Mehës ishte një goditje e madhe për mua dhe familjen. Edhe pas vdekjes, bastisjet dhe maltretimet e policisë serbe nuk kishin të ndalur. Kushtet e vështira ekonomike ishin një barrë tjetër e rëndë mbi mua, e në anën tjetër, isha shtatzënë dhe për katër muaj ishte paraparë lindja e djalit. Në spitale ku ishte vetëm personeli serb, nuk mund të shkoja, kështu pas disa informatave, në ndihmë më doli Shoqata “Nënë Tereza” në Prishtinë, ku edhe erdhi në dritë djali, që e pagëzova me emrin e Mehës. Jeta në një fshat të largët nga qyteti pa Mehën ishte shumë e vështirë. Përveç që duhej të kujdesesha për katër fëmijët, duhej të bëheshin shpesh edhe punët e burrave, madje mentaliteti patriarkal i zonës më zinte edhe atë copë drite që vinte nga fëmijët, kështu jeta sa vinte e rëndohej në të gjitha aspektet. Në atë situatë kur edhe era e luftës tashmë po fillonte, unë si një grua e vetme me fëmijë, nuk mund të paramendoja diçka të mirë në atë kohë. Me çdo kusht dëshiroja që fëmijët t’i vendosja në një vend të sigurt. Në atë kohë më ndihmuan dajat e Mehës me Fatmir Osmanin në krye, të cilët me ndihmën e miqve të tyre në Austri organizuan udhëtimin tim me fëmijë për në Austri, një udhëtim me shumë rreziqe dhe vështirësi.
Albinfo: Kur u vendosët në Austri dhe si u gjendët në fillim këtu?
R. Uka: Në fillim u vendosem në Graz, përmes Caritasit, pastaj më dërgouan në Ybss afër Linzi-it dhe pastaj pas dy viteve vendosem në Zeltweg ku banoj akoma. Prej atëherë filloi një etapë tjetër e familjes sime duke u vendosur në kushte më të mira dhe me një siguri jetësore larg maltretimeve dhe bastisjeve të shpeshta që kisha në Kosovë. Për shkak të të kaluarës sime politike, organet austriake më ofruan strehim politik sipas konventave ndërkombëtare, duke më mundësuar të integrohem në shoqërinë austriake. Pas një kohe mora edhe nënshtetësinë austriake dhe u vendosa në Zeltweg ku fillova edhe të punoja punë të ndryshme edhe pse fëmijët ishin shumë të vegjël. Dardani 5 vjeçar, Shota 4 vjeçare, Arta dy vjeçare dhe djali i vogël, Meha 1 vjeçar.
Albinfo.at: Si jeton sot familja e Mehë Ukës dhe vetë Resmija?
R. Uka: Unë besoj se vizionin e Mehës për një familje të shëndoshë dhe atdhetare jam duke e çuar në vend. Fëmijët janë rritur dhe shkolluar. Kështu, Dardani është nënoficer në ushtrinë austriake dhe është duke i vazhduar studimet në akademinë ushtarake, Shota ka magjistruar në fakultetin filozofik dhe ka regjistruar magjistraturën në drejtimin matematikor në universitetin e Salzburg-ut, Arta është asistente në sallat e operacionit në Leoben, ndërsa Meha është student i vitit të tretë në fakultetin juridik në Vjenë. Kështu pasardhësit e Mehës po vazhdojnë idealin e tij duke u shkolluar dhe ngritur në pikëpamje intelektuale dhe profesionale dhe asnjëherë duke mos harruar se çfarë janë dhe nga vijnë.
Albinfo.at: A keni ndonjë mesazh për femrat shqiptare pas gjithë atyre vuajtjeve që keni pasur?
R. Uka: Jeta është një sfidë, sfida është luftë dhe lufta fitohet me punë, bindje, rregull dhe vendosmëri, prandaj dorëzimi para sfidave nuk është opsion.
Albinfo.at: Për fund, a keni diçka nga Meha që ju ka mbetur në zemër?
R. Uka: Ishin kohë të vështira nën okupim dhe jeta e askujt nuk ishte e sigurt, e sidomos e atyre që merreshin më çështje kombëtare. Por, se sa ishte i palëkundur për atdhe dhe se cili ishte çmimi më i madh për Mehën, tregon kjo thënie që shpesh më thoshte: “Resmije, për ty e jap jetën, por për atdheun e fali dhe dashurinë”.
Kush ishte Mehë Uka
Mehë Uka ishte arsimtar, i burgosur politik, atdhetar, i dekoruar si Hero i Kosovës. Ai u lind më 20 dhjetor 1962 në Bajgorë, ku dhe kreu shkollën fillore. Të mesmen e vazhdoi në Mitrovicë, kurse në Prishtinë diplomoi në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Shkencave Matematikore. Që nga viti 1981 si pjesëmarrës i demonstratave burgoset dhe nga aty vazhdojnë peripecitë dhe lufta e tij deri në flijim, për liri. Më 29 dhjetor të vitit 1996 ai vritet nga policia serbe në hyrje të Mitrovicës.
Box 2
Vargje nga Resmije Uka: Mos më thuaj
Mos më thuaj kurrë
grua e pa burrë
Mbroj vatan dhe Flamur.
Kam dhanë fjalë
kam dhanë besë
Se me nder
do të vdes
Nuk më mori kot ky djalë shaljan
E dinte mirë se cila jam
Nuk donte nuse për “temena”
Po një grua që lufton n´ bedena.
Mos më thuaj kurrë grua e pa burrë
Më e fortë se tani nuk jam ndier kurrë
Kam shtatë zemra, dhe një flamur.