Edward Joseph, profesor dhe ekspert i çështjeve të Ballkanit, ka deklaruar se nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon përderisa Serbisë i lejohet të përfitojë nga Bashkimi Evropian, ndërsa vazhdon të mbajë lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën.
Joseph kritikoi qasjen e administratës së ish-presidentit amerikan Joe Biden ndaj Beogradit, duke thënë se Uashingtoni e humbi një mundësi të rëndësishme për të ushtruar presion ndaj Serbisë pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Sipas tij, politika e Perëndimit ndaj Serbisë është karakterizuar nga frika se presioni ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, mund ta shtyjë atë drejt Rusisë dhe Kinës.
“Serbia nuk mund ta përballojë kurrë këtë. […] Serbia nuk mund të bëhet kurrë Bjellorusia e Ballkanit. Nuk mundet. Ky nuk është një opsion”, tha Joseph.
Ai e përshkroi politikën e Vuçiqit si një ekuilibër të rremë, përmes të cilit Serbia përfiton nga fondet evropiane, ndërsa njëkohësisht ruan marrëdhëniet me presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin rus Vladimir Putin.
Joseph theksoi se stabiliteti në Ballkan nuk mund të arrihet përderisa Serbia vazhdon të ndjekë një orientim që ai e cilësoi si jodemokratik dhe revizionist.
“Nuk do të ketë stabilitet në Ballkan kur vendi më i madh është jodemokratik, në thelb, me një orientim revizionist jodemokratik. Nuk do të ndodhë”, deklaroi ai.
Sipas Josephit, përkëdhelja e vazhdueshme e Beogradit nga Perëndimi nuk ka sjellë stabilitet, ndërsa si shembull përmendi sulmin e armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, në shtator të vitit 2023.
Ai vlerësoi se gabimi strategjik i administratës Biden ishte dështimi për të ushtruar presion ndaj Serbisë në kohën kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, kur, sipas tij, Perëndimi kishte mundësinë të kërkonte nga Beogradi një përcaktim më të qartë të orientimit të tij politik dhe të sigurisë.
“Duhet të zgjedhësh”, ishte mesazhi që, sipas Josephit, Shtetet e Bashkuara duhej t’i përcillnin Serbisë në atë periudhë.
Joseph argumentoi gjithashtu se anëtarësimi i Kosovës në NATO mund të ndryshojë dinamikën strategjike në rajon, t’i japë fund pasigurisë së sigurisë dhe ta detyrojë Serbinë të bëjë një zgjedhje më të qartë për orientimin e saj drejt Perëndimit.
Ai theksoi se për këtë nevojitet udhëheqje amerikane dhe një qasje e re ndaj Ballkanit, e cila, sipas tij, duhet të përfshijë edhe një politikë më të qartë ndaj Serbisë dhe mbështetje për konsolidimin euroatlantik të rajonit./Koha

















