Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se aktgjykimi është obligativ dhe duhet të respektohet.
Përmes një postimi në “Facebook”, ajo ka kërkuar që të mërkurën të marrë fund bllokada politike dhe të nisë punën Kuvendi i ri.
“Gjykata Kushtetuese ka folur dhe na e ka treguar rrugën se si të dalim nga çorrsokaku ku jemi futur. Aktgjykimi i saj, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, është obligativ e duhet të respektohet. Afati prej 30 ditësh, është më se i mjaftueshëm për propozime të reja e për konstituimin e Kuvendit. Aleanca si parti parlamentare do ta japë kontributin e saj, edhe me votë, për zhbllokimin e konstituimit të Parlamentit, duke e zbatuar në plotni aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, që është iniciuar muaj më parë prej nesh. Çdo veprim tjetër është kundër interesave të Shtetit dhe si i tillë i papranueshëm dhe i dënueshëm! Nesër duhet të marrin fund lojërat politike dhe të nisë punën parlamenti i ri e t’i hapet rrugë krijimit të qeverisë!”, ka shkruar Kadrijaj.