Gazetari Vehbi Kajtazi ka shpalosur detaje nga aksioni i Ministrisë së Bujqësisë në Qumështoren Vita javën e kaluar.
Kajtazi, në një deklaratë në emisionin VV Show të dielën, ka deklaruar se aksioni i Agjencisë së Ushqimit dhe Ministrisë së Bujqësisë është drejtuar nga këshilltarja e ministrit Armend Muja.
Ai tha se grupi i inspektorëve të AUV-it ishte drejtuar fillimisht për në restorant “Trofta” në Istog.
“Para pak ditësh, një grup njerëzish të udhëhequr nga këshilltarja e Armend Mujës së bashku me militantë tjerë dhe zyrtarë të tjerë janë nisur nga Prishtina se gjoja po shkojnë në restorant Trofta në Istog për një grup punues për diskutim rreth një udhëzimi administrativ. Dhe, pasi kanë shkuar në Istog, këshilltarja e Armend Mujës i ka informuar se po shkojmë në inspektim pa paralajmërim në Qumështoren Vita”, tha Kajtazi.
“Kur kanë shkuar aty gjithë ky grup, natyrisht që drejtuesit e Qumështores nuk kanë pranuar të fillojë ky inspektim pa qenë mediat aty, sepse kanë pasur dyshime të mëdha se ky ka qenë një sulm i organizuar nga pushteti”, ka zbuluar gazetari.
Kajtazi tha se “analizat kanë treguar në vazhdimësi se qumështi Vita është 100% qumësht”.
“Megjithatë, kjo nuk po i mjafton pushtetit, i cili i është vërsulur këtij prodhuesi privat, më të madhit në Kosovë në fushën e vet”, ka deklaruar ai.













