Deputeti Haxhi Avdyli ka konfirmuar se ka pasur bisedime mes Vetëvendosjes dhe Nismës, por nuk ka konfirmuar se ka marrëveshje.
Në bazë të kësaj, Avdyli është shprehur i bindur se Vetëvendosjes i mungon vetëm një votë për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Ani pse në katër përpjekjet e fundit ka dalë që Vetëvendosje ka vetëm 57 vota për Haxhiun, Avdyli ka thënë se u mungon vetëm një votë.
“Unë besoj që në momentin që do të ketë lëvizje nga një ose dy deputet, edhe Nisma do të ketë vullnetin për ta zhbllokuar situatën”, ka thënë Avdyli ne ATV.
“Nisma ka treguar pjekuri nga të gjitha partitë opozitare për të gjetur një kompromis. Edhe në këtë moment do të tregojnë pjekurinë e duhur dhe do të kemi votat e tyre për të votuar institucionet tona. Për momentin na mungon edhe një votë”, ka thënë ai.
Ai ka konfirmuar se ka vazhdimisht biseda mes VV-së dhe Nismës.
“Besoj që ka një vullnet pozitiv, për të mos bllokuar situatat e tanishme. Më shumë detaje do të shihen gjërat. Ka edhe takime, ka edhe biseda, janë disa takime që janë mbajtur dhe kanë qenë në atmosferë konstruktive. Biseda me deputetë të Nismës po ndodhin në mbledhjet që i kemi në Kuvend. Është vërejtur vullnet pozitiv”, ka thënë Avdyli.