Korporata Energjetike e Kosovës – KEK, i ka dhënë tender kompanisë të cilën e kishte dërguar para Gjykatës për mashtrim. “Univers-M’ me pronar Tefik Hargaja, ka nënshkruar kontratë prej 33 mijë euro me KEK-un. Tenderi i dhënë ka të bëj me furnizim me lidhëse elastike.
Me 20.02.2025, KEK, njoftoj në e-prokurim se ka nënshkruar kontratën për ‘Furnizim me lidhëse elastike’.
Ky tender iu besua kompanisë “Univers-M’ dhe ka vlerën prej 33 mijë euro.
Sipas dosjes se tenderit kjo kompani është përgjegjëse për: Furnizim me xhunta elastike Ø710 ( komplet kah elektromotori dhe reduktori … 4 cope; – Furnizim me xhunta elastike Ø500 (komplet kah elektromotori dhe reduktori) ; diametri i brendshëm ds= Ǿ100mm cope 2 dhe ds=Ǿ110mm cope 2… 4 cope.
Kompania që fitoi këtë tender ishte dërguar në Gjykatë nën dyshimet se e ka mashtruar Korporatën Energjetike të Kosovës me një kontratë të lidhur në vitin 2018.
Çka tha Tefik Hargaja pasi u shpall fitues?
Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Tefik Haragaja se ku qëndron procesi gjyqësor ndaj tij, i njëjti tha se ka përfunduar.
Ai mohoi akuzat për mashtrim.
“Asnjëherë nuk kam bërë asnjë mashtrim, për këtë arsye lënda është përfunduar me vendim të vitit 2024″, tha Tefik Haragaja për Insajderin.
Insajderi ka kërkuar sqarime tek zyra për Informim në KEK, se si ka ndodhur që të rekomandohet një kompani e cila akuzohet që e ka mashtruar korporatën, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Për çka doli para Gjykatës pronari i Univers-M?
Tefik Hargaja ishte para Gjykatës Themelore të Prishtinës, nën dyshimet se e ka mashtruar Korporatën Energjetike të Kosovës me një kontratë të lidhur në vitin 2018.
Të përfshirë në aktakuzë janë edhe zyrtarë të KEK-ut.
Aktakuza e ushtruar në nëntor të vitit 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon zyrtarët e KEK-ut, Zeqir Gashin, Qazim Reqicën dhe Rexhep Gashin, se kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare në KEK- Obiliq, duke pranuar nga operatori ekonomik “Univers-M” katër reduktorë të 15KW nga pozicioni i 33, i të njëjtës kontratë, mall ndryshe me atë të kërkuar në kërkesë dhe të shkruar në fletëdërgesë dhe në fatura.
Ndërsa, Tefik Hargaja akuzohej se si person përgjegjës mashtron KEK-un si autoritet kontraktues, duke dorëzuar katër reduktorë të 15-të të pozicionit 33 me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë, ndërsa i kishte faturuar si në kërkesën e Autoritetit Kontraktues- KEK, me fletëdërgesë me çmim prej 16 mijë euro për copë ashtu siç ishte në pozicionin nr.11 të kontratës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të KEK-ut në vlerë prej 53 mijë euro.
Ish-zyrtarët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Zeqir Gashi, Qazim Reqica, Rexhep Gashi, Agron Hajrizi dhe Nazmi Musliu, janë dënuar me 6 vjet e 4 muaj burgim (së bashku), për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. Ndërsa, i akuzuari Tefik Hargaja u lirua nga akuza për mashtrim.