Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se Tribunali i Arbitrazhit ka vendosur në favor të kërkesave të saj, duke refuzuar pretendimet e KEDS-it dhe KESCO-s, për marrëveshjen për furnizim me shumicë.
“Tribunali ka vërtetuar se interesi për pagesat e vonuara është i paraparë dhe i lejuar me MFSH/BSA dhe se kërkesa e KEK-ut për këtë pagesë është bërë në përputhje të plotë me detyrimet kontraktuale.
Nga ana tjetër, vonesat në pagesa nga KEDS-i dhe KESCO-ja nuk janë justifikuar nga asnjë ngjarje force madhore apo krizë energjetike, ndërsa KEK-u nuk ka shkelur asnjë parim të mirëbesimit, drejtësisë apo përgjegjësisë kontraktuale”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Nga kjo korporatë bëjnë me dije se KEDS-i dhe KESCO-ja detyrohen t’i paguajn KEK-ut rreth 8.3 milionë euro, për interesin e akumuluar.
Ky është njoftimi i plotë i KEK-ut:
Korporata Energjetike e Kosovës Sh.A. (KEK) njofton opinionin publik se Tribunali ad hoc i Arbitrazhit, i themeluar sipas Nenit 28 të Marrëveshjes për furnizim me shumicë (MFSh/BSA), ka shpallur më 24 tetor 2025 vendimin përfundimtar në rastin KEK kundër KEDS-it dhe KESCO-s (Rasti Nr. 900020-2023), duke konfirmuar plotësisht kërkesat e KEK-ut dhe refuzuar pretendimet mbrojtëse të palëve të paditura.
Gjatë shqyrtimit të çështjes, tribunali ka konstatuar faktet e pakontestuara se KEK-u ka realizuar furnizimin me energji në përputhje të plotë me dispozitat e Marrëveshjes për furnizim me shumicë (MFSh/BSA) dhe se palët e paditura (KEDS dhe KESCO) nuk kanë kryer pagesat brenda afateve të përcaktuara për disa periudha midis viteve 2020–2024.
Gjithashtu, tribunali ka vërtetuar se interesi për pagesat e vonuara është i paraparë dhe i lejuar me MFSh/BSA, dhe se kërkesa e KEK-ut për këtë pagesë është bërë në përputhje të plotë me detyrimet kontraktuale.
Nga ana tjetër, vonesat në pagesa nga KEDS-i dhe KESCO-ja nuk janë justifikuar nga asnjë ngjarje force madhore apo krizë energjetike, ndërsa KEK nuk ka shkelur asnjë parim të mirëbesimit, drejtësisë apo përgjegjësisë kontraktuale.
Në bazë të vendimit të shpallur:
KEDS-i dhe KESCO-ja detyrohen të paguajnë KEK-ut rreth 8.3 milionë euro, për interesin e akumuluar nga pagesat e vonuara;
KEK-ut i njihen dhe do t’i kompensohen kostot e procedurës së arbitrazhit, përfshirë shpenzimet e përfaqësimit ligjor dhe të ekspertëve, të cilat do të mbulohen bashkërisht nga palët e paditura (KEDS/KESCO).
Procedura e arbitrazhit është zhvilluar në përputhje me rregullat UNCITRAL Arbitration Rules (2010), ndërsa vendi i arbitrazhit ka qenë Gjeneva, Zvicër.
Vendimi është përfundimtar dhe i zbatueshëm.
Një fitore me rëndësi strategjike për KEK-un dhe sektorin energjetik të Kosovës.
Ky vendim përbën një precedent të rëndësishëm ligjor për sektorin energjetik të vendit, duke forcuar pozitën kontraktuale dhe kredibilitetin institucional të KEK-ut.
Ai konfirmon qartësisht sjelljen e përgjegjshme, transparente dhe profesionale të KEK-ut ndaj partnerëve dhe institucioneve, si dhe angazhimin për respektim të plotë të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale.
KEK-u shpreh falënderim të veçantë për ekipin e përfaqësimit ligjor të Squire Patton Boggs, si dhe për ekspertët financiarë dhe ligjorë për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë procesit të arbitrazhit.
Po ashtu, KEK-u shpreh mirënjohje të veçantë për Avokaturën Shtetërore të Republikës së Kosovës për mbështetjen dhe këshillimin e vazhdueshëm profesional, veçanërisht gjatë fazave të hershme të përzgjedhjes dhe themelimit të Tribunalit të Arbitrazhit, si dhe për kontributin në sigurimin e përfaqësimit të duhur ligjor gjatë gjithë procesit.
KEK-u mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të ligjit, operimit transparent dhe menaxhimit të përgjegjshëm, duke vepruar me integritet të plotë si ndërmarrja shtyllë e sistemit energjetik dhe ekonomisë së Republikës së Kosovës.















