Në vitin 2016 Komuna e Mitrovicës në bazë të vendimit të Kuvendit Komunal kishte lidhur kontratë (Shkarkoje KËTU) me operatorin ekonomik “Lin Projekt Sh.P.K & Arjeta Group Sh.P.K” për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës prej 19691m² (gati 2 hektarë) me qëllim të ngritjes/ndërtimit të objekteve të kompleksit të Pishinave Olimpike, projekt që ishte paraparë të realizohet sipas kushteve urbane në bazë të Planit Rregullues Urban.
Në neni 3 të kontratës thuhet se operatori ekonomik obligohet t’i ndërtojë objektet ashtu siç është paraparë në në ofertë. Ndërsa neni 4 thotë që përfundimi i ndërtimeve dhe funksionalizimi i tërësishëm duhet të bëhet brenda gjysmës së dytë të vitit 2020. Mirëpo, kur tashmë kemi hyrë në vitin 2025 duket se ky projekt nuk është zbatuar nga operatori ekonomik, sipas kushteve të parapara me rastin e dhënies së 19691m² (gati 2 hektarë) tokë në qytet për këtë kompani.
Në neni 10 të kësaj kontrate thuhet se kjo kontratë mund të sjkëputet në çdo kohë nëse njëra prej palëve nuk respekton të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara me këtë kontratë.
Pra, edhe pse kompania të cilës i është dhënë prona komunale në shfrytëzim për 99 vite, nuk e ka respektuar planin investiv për ndërtim të hotelit dhe pishinës së mbyllur, Komuna e Mitrovicës që prej vitit 2020 është në gjumë dhe nuk po reagon.
Nëni 12 i kontratës thotë se pjesë përbërse e kontratës është edhe oferta (shkarkoje KETU) e operatorik ekonomik, i cili në pikën/kapitullin 12 të ofertës ka treguar se si do ta bëjë investimin prej 4 milionë e 590 mijë euro (shih dokumentin e mposhtëm).
Sot është data 1 qershor 2025, pra rreth pesë (5) vitë më parë ishte paraparë realizimi i projektit në bazë të të cilit operatori ekonomik ka përfituar 19691m² (gati 2 hektarë) tokë komunale në pjesën urbane të qytetit, jo i gjithë investimi është realizur.
Veriu.info në tetor 2022 i kishte bërë kërkesë për qasje në dokumente zyrtare komunës së Mitrovicës, e cila është përgjigjur pozitivisht në dhënien e qasjes në kontratë, aneks kontratë dhe plan të biznesit.
Pas analizimit të kontratës, Veriu.info ka ardhur deri të dyshimi i bazuar se kontrata nuk është realizuar, rrjedhimisht është shkelur nga operatori ekonomik.
Të paktën njëra prej dy pikave intestimeve kryesore në këtë kompleks të pishinave akoma nuk është realizuar, e që me rastin e dhënies së tokës nga komuna ishin parë si pika me interes për të cilat edhe ishte dhënë prona komunale këtij operatori ekonomik.
Fjala është për pikën katër në planin investim që është: “Hotel restaruant me pishinë të mbyllur” në vlerë prej 2.5 milion euro.
Sot gjithë mitrovicasit janë dëshmitarë se akoma nuk është ndërtuar hoteli e as pishina e mbyllur, porjekt ky që përbente më shumë se gjysmën e vlerës investime të projektit, e cila në total ishte 4 milionë e 590 mijë euro.
Ndryshe, në qershor të vitit 2020 me kërkesë të operatorit ekonomik ishte lidhur aneks kontratë mes komunës së Mitrovicës dhe operatorik ekonomik, ku i ishin bartur të gjitha të drejtat e kontratës operatorik ekonomik “Lin Projekt”.
Nga të dhënat që gjenden në ARBK, kompania “Lin – Projekt” Sh.P.K. është në pronësi të Ferki Haxhimehmeti dhe Jusuf Haxhimehmeti, ky i fundit i njohur me nofkën Cufa.
Foto: Ferki Haxhimehmeti dhe Jusuf Haxhimehmeti – Cufa