Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi sot, më 16.09.2025, për arrestimin e katër zyrtarëve policorë në Mitrovicë të Jugut nën dyshimin se kanë fshehur dhe kanë manipuluar me prova.
KALLXO.com mëson se zyrtarët policorë të arrestuar janë: Qëndrim Krasniqi, Besnik Mustafa, Labinot Tërnava dhe Fatjon Ademi.
Ata janë pjesëtarë të Njësitit Reagues në stacionin policor Mitrovicë-Jug.
Sipas Inspektoratit Policor të Kosovës, më 13.09.2025 të njëjtit nuk kanë proceduar me rast penal në një rast të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, si dhe dyshohet se kanë fshehur si dhe kanë manipuluar me provat e gjetura në vendin e ngjarjes.
“Të dyshuarve në këtë rast me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”- bën të ditur IPK.
Përveç arrestimit, IPK i ka rekomanduar Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Jug edhe suspendimin e katër të dyshuarve të cilët kanë qenë me detyrë në stacionin policor në Mitrovicën e Jugut.