Në letër theksohet se Komisioni Evropian ka autorizuar heqjen e disa masave që lidhen me programimin e fondeve të BE-së dhe kontraktimin e projekteve prioritare.
Sipas Koopman, procesi i heqjes graduale të masave ka nisur që në muajin maj, pas veprimeve konkrete për uljen e tensioneve në veri të vendit. Ai ka vlerësuar pozitivisht transferimin paqësor dhe demokratik të pushtetit lokal pas zgjedhjeve, si dhe largimin e forcave policore nga objektet komunale.
Në përputhje me këto zhvillime dhe me Komunikimin e Komisionit Evropian për Zgjerimin 2025, Kosova është ftuar që sa më shpejt të dorëzojë propozimet për financim në kuadër të IPA 2026–2027.
Masat e hequra përfshijnë një paketë kontratash prioritare që mbulojnë katër projekte madhore:
17.6 milionë euro për impiantin e ngrohjes qendrore të Prishtinës, përmes një marrëveshjeje kontributi me Bankën Evropiane të Investimeve;
12 milionë euro për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura në Termocentralin Kosova B, në bashkëpunim me Zyrën e OKB-së për Shërbime të Projekteve;
3 milionë euro për skemën “Young Cell”, e cila përfshin grante direkte përmes Universitetit të Selanikut;
2 milionë euro për mbështetjen e kompanisë për menaxhimin e deponive në Kosovë, përmes një kontrate me Bankën Gjermane për Zhvillim.















