Çështja kryesore është: të shpëtohet Republika Islamike. Më shumë se për jetën e tij, ajatollahut i duhet të ruajë vazhdimësinë e regjimit që ai e drejton prej 36 vitesh dhe të cilit ia ka kushtuar jetën.
Burime nga Teherani tregojnë për New York Times se, nga frika se mund të vritet, i fshehur në një bunker, “Ali Khamenei ka zgjedhur një sërë zëvendësuesish në zinxhirin e tij ushtarak të komandës në rast se drejtuesit aktualë vriten”.
Por jo vetëm kaq: ajatollah Khamenei ka emëruar gjithashtu tre figura të larta të klerit si kandidatë për ta pasuar atë në rast se vritet.
Sulmet e drejtuara të Izraelit, që në vetëm tetë ditë kanë eliminuar mbi 25 prej drejtuesve politikë e ushtarakë mbi të cilët mbështetet Republika Islamike, e kanë shtyrë atë të ketë frikë për jetën e vet. “Prioriteti absolut është ruajtja e shtetit”, thotë Vali Nasr, ekspert i çështjeve iraniane dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins, për gazetën e Nju Jorkut.
“Gjithçka është e kalkuluar dhe pragmatike”. Burimet tregojnë se djali i tij, Mojtaba, i dyti për nga mosha dhe i konsideruar si pasardhës i mundshëm, nuk është mes emrave të përzgjedhur.
Khamenei po merr vendime për të siguruar diktaturën fetare. Në kohë paqeje, udhëheqësi suprem – autoriteti më i lartë fetar dhe politik në vend – zgjidhet nga Asambleja e Ekspertëve, një organ me 88 anëtarë fetarë të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli çdo tetë vjet.
Sipas Kushtetutës iraniane, udhëheqësi suprem duhet të plotësojë disa kushte të veçanta: të jetë teolog dhe jurist islam (faqih), të jetë i drejtë dhe i devotshëm, të ketë njohuri për kohën në të cilën jeton, të tregojë guxim, iniciativë dhe aftësi drejtuese, dhe të gëzojë njohjen si udhëheqës nga shumica e popullsisë./TCH/