Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Mitrovicën e Jugut kanë demantuar pretendimet e klubit basketbollistik “Trepça” se gjatë numërimit të votave është dëmtuar palestra “Minatori”, raporton Gazeta Online Veriu.info.
KKZ e Mitrovicës i ka quajtur këto pretendime të pavërteta.
“Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Mitrovicën e Jugut, për korrektësi ndaj opinionit publik, sqaron se pretendimet e KB Trepça, në lidhje me gjendjen e Palestres “Minatori’’ pas përfundimit të punës së Qendrës Komunale të Numërimit, janë të pavërteta.” – thuhet në komunikatë.
Madje KKZ ka dërguar edhe video si dëshmi se si është gjetur parketi i palestrës ditën që kanë filluar punën aty.
“Sa i përket fotove të publikuara nga KB Trepça, kinse KKZ-ja e ka lënë palestrën në atë gjendje, ato janë të pavërteta. Fotot nuk janë bërë në ditën e fundit kur ne e kemi dorëzuar palestrën. Edhe pse palestra ka pastruesit e saj, stafi i KKZ-së ka bërë pastrimin e hapësirave që kemi shfrytëzuar, gjë që mund të dëshmohet lehtësisht sepse ekzistojnë kamerat.” – vazhdon komunikata.
Komunikata e plotë:
Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Mitrovicën e Jugut, për korrektësi ndaj opinionit publik, sqaron se pretendimet e KB Trepça, në lidhje me gjendjen e Palestres “Minatori’’ pas përfundimit të punës së Qendrës Komunale të Numërimit, janë të pavërteta.
E informojmë opinionin publik se KKZ-ja, duke u bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit mes KQZ-së dhe Komunës, zyrtarisht ka kërkuar nga Komuna që Palestra “Minatori’’ të shfrytëzohet si Qendër Komunale e Numërimit. Kërkesa jonë është miratuar me shkrim nga kryetari i komunës, z. Faton Peci, për çka e falënderojmë komunën për përkrahjen logjistike dhe teknike që na ka ofruar për organizimin e Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Edhe pse vendosja e QKN-së në palestër është ligjore dhe të gjitha palestrat në Kosovë shfrytëzohen si QKN, KB Trepça e ka kundërshtuar vendosjen tonë në palestër, përkundër vendimit të kryetarit të Komunës, z. Peci. Po ashtu, e informojmë opinionin publik se Palestrën “Minatori’’ e menaxhon Komuna dhe jo klubet.
Ne si KKZ e kemi mirëkuptuar KB Trepça në Zgjedhjet Lokale, duke e vendosur QKN-në në OMNI SPORT, pasi Trepça ka pasur lojë ndërkombëtare në “Minatori’’. Edhe pse Qendra OMNI SPORT nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet për QKN, kemi vlerësuar se është në interes të qytetit tonë që ajo ndeshje të zhvillohet në Palestrën “Minatori’’. Po ashtu, edhe në këto zgjedhje, palestrën e kemi marrë në shfrytëzim dy ditë me vonesë, në mënyrë që Trepça të ketë mundësi të zhvillojë një ndeshje në Palestër. Ne jemi të vetëdijshëm se jo vetëm KB Trepçën, por edhe klubet tjera mund t’i kemi penguar në aktivitetet e tyre sportive, por Ligji përcakton qartë se palestrat duhet të shfrytëzohen si Qendra Komunale të Numërimit.
Sa i përket fotove të publikuara nga KB Trepça, kinse KKZ-ja e ka lënë palestrën në atë gjendje, ato janë të pavërteta. Fotot nuk janë bërë në ditën e fundit kur ne e kemi dorëzuar palestrën. Edhe pse palestra ka pastruesit e saj, stafi i KKZ-së ka bërë pastrimin e hapësirave që kemi shfrytëzuar, gjë që mund të dëshmohet lehtësisht sepse ekzistojnë kamerat.
Për gjendjen në të cilën e kemi gjetur palestrën dhe parketin, dëshmon videoja që kemi bërë ditën kur jemi vendosur në palestër.
Ne si KKZ, numëruesit dhe vëzhguesit, gjatë punës në QKN jemi përballur me mungesë të ngrohjes, dhe tani po e kuptojmë se nga kush na ka ardhur ky pengim në punën tonë.
Me respekt
Komisioni Komunal I Zgjedhjeve
Mitrovica Jugore












