Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), përmes një reagimi, ka dënuar fuqishëm deklarimin e nënkryetares së Komisionit të Pavarur të Mediave, Drita Morina, e cila, sipas KMShK-së, pa asnjë mbështetje në Kodin e Etikës të KPM-së, ka paralajmëruar mbylljen e emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
KMShK vlerëson se organet e pavarura duhet të kenë kujdes të shtuar gjatë trajtimit të ankesave të tipit SLAPP ndaj mediave, veçanërisht kur ato lidhen me eksponentë të partive politike.
Në reagim, KMShK i ka bërë thirrje Komisionit të Pavarur të Mediave që të ruajë pavarësinë dhe të vendosë në përputhje me standardet e Kodit të Etikës së KPM-së.
Po ashtu, KMShK u ka bërë thirrje anëtarëve të KPM-së që të përmbahen nga deklaratat e pamatura dhe të pabazuara lidhur me cilësinë e raportimeve në mediat e vendit.
Sipas KMShK-së, deklarata të tilla paralajmëruese dhe të pabazuara përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.
Në fund, KMShK ka ftuar anëtarët e tjerë të KPM-së që të distancohen publikisht nga nisma të tilla, të cilat, sipas tyre, ndikojnë seriozisht në lirinë e mediave në vend.













