Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, priti të mërkurën në takim emisarin e Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, dhe shefin e Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.
Sipas njoftimit të KFOR-it në Facebook, takimi u përqendrua në situatën e sigurisë në Kosovë, stabilitetin rajonal dhe mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it për procesin e dialogut.
Ulutash theksoi angazhimin e KFOR-it ndaj misionit të mandatuar nga OKB-ja dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë.
“Vizita vuri theksin në angazhimin e gjatë dhe të palëkundur të NATO-s dhe BE-së për të punuar së bashku për të konsoliduar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për stabilitetin rajonal,” tha Ulutash.
Peter Sorensen ishte takuar më parë me ish-komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, ndërsa takimi i fundit i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u mbajt më 11 shtator në Bruksel. Sorensen në një postim në platformën X më 12 shtator theksoi se kishte pritur drejtuesit e ekipeve për takime dypalëshe dhe trepalëshe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe adresimin e çështjes së personave të zhdukur.