Një vend i veçantë në aeroplan është bërë i “papërdorshëm” nga një kompani ajrore, pas pensionimit të Cristiano Ronaldos nga futbolli ndërkombëtar.
Të enjten, Ronaldo njoftoi zyrtarisht se kishte zhvilluar ndeshjen e tij të fundit me kombëtaren e Portugalisë, pas përplasjes me Jorge Jesus.
Ronaldo ishte larguar nga grumbullimi i kombëtares në pushimin e fundit ndërkombëtar, pasi kishte mbetur në bankën rezervë gjatë gjithë fitores 2-1 ndaj Norvegjisë.
ADVERTISING
Ai u dënua nga Federata Portugeze e Futbollit me një gjobë të vogël dhe pezullim, por pasi publikoi një deklaratë të ashpër prej 1.740 fjalësh, më vonë konfirmoi se po i jepte fund aventurës me Portugalinë, me 146 gola dhe 234 paraqitje.
Ronaldo, i cili publikoi një video-deklaratë pesëminutëshe, nuk duket se do të ketë një ndeshje lamtumire.
Megjithatë, fituesi i pesëfishtë i Topit të Artë është nderuar në një mënyrë të pazakontë nga “Transavia”, një kompani ajrore holandeze.
Kompania operon në 110 destinacione në Evropë dhe Afrikën e Veriut, përfshirë edhe Funchalin në Madeira, vendlindjen e Ronaldos.
“Transavia” ka konfirmuar se, në shenjë nderimi për pensionimin e Ronaldos, vendi 7C është hequr nga fluturimet drejt Funchalit.
Ata e bënë të ditur këtë gjest përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Instagram”, ku shkruan: “CR7 i var këpucët në gozhdë, ndërsa vendet tona me numrin 7C tashmë janë hequr nga fluturimet drejt Funchalit”.
Postimi përmbante një fotografi të fanellës së Portugalisë me numrin 7 të Ronaldos, të vendosur në ulësen pranë korridorit. Kështu, asnjë pasagjer nuk do të mund ta rezervojë atë vend.
Duke reaguar për herë të parë ndaj pensionimit të Ronaldos, trajneri Jorge Jesus tha: “Ndoshta gjërat u përshpejtuan, por jo për shkakun tim. Ai tashmë e kishte në mendje se, herët a vonë, ky moment do të vinte. Gjithmonë do të ndodhte gjatë kohës sime si trajner. Nuk ndihem fajtor për largimin e tij. E respektoj vendimin e tij dhe, natyrisht, historinë që ai ndërtoi me kombëtaren. Gjatë këtij viti e gjysmë, kam krijuar një miqësi të fortë me të. Nga këndvështrimi sportiv, ai tani ka marrë një vendim tjetër, të cilin e respektoj thellësisht”.
Fanella me numrin 7 është sinonim i Ronaldos, i cili e ka bartur me shumë sukses atë për Portugalinë.
Megjithatë, pavarësisht gjestit të “Transavias”, numri i fanellës së tij nuk mund të tërhiqet zyrtarisht nga kombëtarja portugeze.
Kjo për shkak se rregullat e FIFA-s nuk lejojnë tërheqjen e numrave të fanellave në kombëtare, pasi numrat nga 1 deri në 26 duhet të jenë të caktuar për ndeshjet zyrtare.
Edhe Lionel Messi është pensionuar nga kombëtarja e Argjentinës, por “Albiceleste” ka vendosur ta shtyjë për një kohë dhënien e fanellës së tij një lojtari tjetër.
Meqenëse dy ndeshjet e ardhshme të Argjentinës janë miqësore, ajo nuk është e detyruar t’ia caktojë fanellën me numrin 10 një futbollisti tjetër.
Ndërkohë, dy ndeshjet e ardhshme të Portugalisë janë të vlefshme për Ligën e Kombeve, që do të thotë se do të shohim një futbollist tjetër duke e bartur fanellën me numrin 7 të Portugalisë.
Në dy paraqitjet e fundit, fanella me numrin 7 i ishte besuar sulmuesit të krahut të Galatasarayt, Rafael Leao.













