Ish-administratori i Aeroportit të Vlorës, Valon Lluka e ka demantuar me fakte ish-shefin e tij, Behgjet Pacolli, për çështjen e aksioneve të koncensionit.
I akuzuar për kinse falsifikim të dokumenteve për transferimin e 47% të aksioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës nga Mabco Constructions, në pronësi të Pacollit, te kompania 2A Group, Lluka ka publikuar vendimet për transferim aksionesh që përmbajnë firmat e Pacollit.
“Në maj të vitit 2022, Mabco Construction SA miratoi zyrtarisht shitjen e aksioneve të VIA-s dhe më autorizoi mua për realizimin e procesit. Vendimi dhe autorizimi u nënshkruan, u noterizuan dhe u apostiluan në Zvicër”, ka thënë Lluka.“Në korrik të vitit 2023, u mor një vendim tjetër për 47% të aksioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Në të njëjtën ditë u lëshua edhe prokurë e posaçme që më autorizonte të nënshkruaja dokumentet dhe të kryeja regjistrimet e nevojshme ligjore”.
Lluka, ish-kryetar i Bordit të Bankës Ekonomike, që për rreth dy dekada punoi si bashkëpunëtor i ngushtë i Pacollit, tha se përfshirja e tij në historinë e konfliktit për Aeroportin e Vlorës mbaron te autorizimet e marra nga ish-shefi i tij.
“Është me rëndësi të kuptohet një fakt shumë i thjeshtë: një kontratë shitblerjeje aksionesh nuk mund të nënshkruhet pa vendim të aksionarëve dhe pa autorizim formal të dhënë nga vetë kompania. Këto nuk janë procedura që mund të kryhen mbi bazë iniciative personale apo pa dijeninë e palëve përgjegjëse”, ka deklaruar Lluka.
Lluka është akuzuar nga Pacolli për gjoja falsifikimin e dokumenteve për transferimin e kuotës prej 47% të aksioneve nga Mabco Constructions te kompania e biznesmenit Valon Ademi, 2A Group.
Por, përveç dokumenteve të noterizuara me vulë apostile ndërkombëtare, të cilat mbajnë firmën e Pacollit, ish-bashkëpunëtori i tij ka publikuar edhe një bisedë në WhatsApp të zhvilluar me biznesmenin Pacolli, e cila dëshmon lejen e dhënë nga ai për realizimin e kontratës së aksioneve.
“Përshëndetje z. Behgjet si je? Valon Ademi më tha që jeni dakorduar bashk që të bëjmë kontratën e shitblerjes së aksioneve në aeroport ashtu siç ka qenë marrëveshja në fillim (51:49)? Dmth me e bë kontratën por transferin në shtet jo deri sa të kemi mundësi, sipas gjitha gjasave jo para përfundimit të punëve”, shkruhet në mesazhin e Llukës për Pacollin.
Pacolli i është përgjigjur mesazhit me konfirmim: “Ok”.













