Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, ka reaguar pas deklaratave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd se Ukraina nuk e njeh dhe nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën.
Konjufca ka shprehur keqardhje për këtë qëndrim, duke theksuar se Kosova ka qëndruar vazhdimisht në krah të Ukrainës që nga fillimi i agresionit rus, duke ofruar ndihmë humanitare, strehim për gazetarët ukrainas, si dhe mbështetje ushtarake e trajnime.
Ai ka theksuar se Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndryshe nga Serbia, ndërsa ka rikujtuar edhe procesin ndërkombëtar që çoi në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010.
“Ne i marrim në konsideratë me keqardhje komentet e Presidentit Zelenskyy në Beograd, të cilat riafirmojnë mosnjohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina. Që nga dita e parë e agresionit në shkallë të plotë të Rusisë, Kosova ka qëndruar pa mëdyshje në krah të Ukrainës”, ka shkruar Konjufca në rrjetin social X.
Konjufca ka thënë se Kosova mbetet e vendosur në mbështetjen për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa ka shtuar se do ta mirëpriste njohjen e Kosovës nga Ukraina.














