Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se partia e tij do ta analizojë seriozisht planin 15 pikësh të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për një Qeveri Uniteti.
Konjufca tha se çdo nismë e tillë meriton vëmendje dhe nuk duhet nënvlerësuar.
“Çdo veprim të partive të tjera duhet me marrë seriozisht, nuk jam aspak për me nënçmu askënd. Secila parti që ka ndonjë ide ose prodhon dokument që është valid, duhet me u analizu – pse kanë thënë kështu, cili është qëllimi i tyre…”, u shpreh ai në ATV.
Ai u shpreh se do të ishte pozitiv një koalicion i mundshëm mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, por vuri në dukje një paradoks në pozicionimin e LDK-së ndaj VV-së.
“Të vetmin problem e kemi që me LDK është paradoksal kur e analizon deri në fund pozicionimi i tyre që thotë se me VV është e pamundshme, kurse ekuacioni kur i shtohet kësaj edhe PDK bëhet shumë mirë. Këtu nuk mundem me konceptu. Dmth LDK+VV = keq, LDK+VV+PDK = super. Për mendimin tim, ekuacioni më mirë do të ishte VV+LDK pa të tjerat, sepse kemi nevojë për një opozitë – dhe sa më e fortë të jetë, aq më mirë”, shtoi Konjufca.