Gazetari Vehbi Kajtazi e ka cilësuar të dëmshëm artikulimin e ministrit Glauk Konjufca në raport me verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë, gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së
Ministri i Punëve të Jashtme, i cili nga Kosova e kundërshtonte ashpërsisht verdiktin e Gjykatës Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ku u paraqit të martën përdori më të zbutur ndaj gjykatës.
Gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kryediplomati përmendi korrigjimin dhe lartësinë e dënimit.
Kjo gjuhë e numrit dy të qeverisë është cilësuar problematike nga gazetari Vehbi Kajtazi, i cili tha dje në emisionin Rubikon në Klan Kosova se Konjufca duhet të ballafaqohet me një pyetje të rëndësishme sapo të rikthehet në Kosovë.
“Sapo të vije këtu dhe në momentin e parë që gazetarët kanë komunikim me të [Konjufcën], duhet ta pyesin ‘sa është për ty taman dënimi që duhet t’i shqiptohet Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit?’”, tha Konjufca.
“Nëse 25 vjet qenka dënim i lartë, atëherë le të na tregojnë sa është taman, sipas tij, dënimi për Hashim Thaçin”, vijoi gazetari. “Nëse për asgjë tjetër, duhet ta pyesin për akuzën që ata vetë ia kanë bërë rreth rastit të Behajdin Allaqit”
Kajtazi rikujtoi se Konjufca u deklarua në selinë e OKB-së, në të cilën Kosova nuk është e anëtarësuar.
“Tani nëse këta janë të bindur se me pranimin e aktgjykimit për z. Thaçi, Veseli dhe të tjerët, se Kosova respekton disa kritere të respektimit të sundimit të ligjit apo të aktgjykimit të gjykatave, atëherë le të na thonë. Por, le ta materializojnë pastaj me Këshill të Evropës, me anëtarësim në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, në të cilat këta kanë dështuar të na anëtarësojnë qe gjashtë vite”, tha Kajtazi.
Shefi i diplomacisë kosovare tha gjatë fjalimit të tij në seancën e KS të OKB-së se verdikti i Dhomave të Specializuara nuk “ka për qëllim të humb vlerën e luftës”.
“Aty u theksua qartë që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është në gjykim dhe vendimi nuk ka për qëllim të humb vlerën e luftës çlirimtare e pastaj edhe shpalljen e shtetit të pavarur si elementi më i rëndësishëm i stabilitetit të rajonit. Pavarësisht kësaj kemi shqetësime serioze për sa i përket dënimeve të ashpra. Ne mendojmë se ato përmbajnë gabime në kuptimin e përmbajtjes dhe fakteve dhe presim që në Apel t’i korrigjojmë këto”, deklaroi Konjufca.
















