Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se Serbia vazhdon të mohojë gjenocidin e bërë, por siç ka thënë ai Kosova nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi për viktimat dhe ndëshkimin e krimeve të luftës. Ai është shprehur kështu në një postim në Facebook në kujtim të 26-vjetorit të masakrës së Reçakut.
“Kjo masakër që tronditi ndërgjegjen e ndërkombëtarëve, u bë një nga momentet kyçe për nxitjen e ndërhyrjes nga NATO si dhe mbeti dëshmi e përjetshme e krimeve të luftës në Kosovë. 16 persona të dyshuar në një aktakuzë të ngritur, ende nuk kanë marrë dënimin meritor. Serbia vazhdon të mohojë gjenocidin dhe drejtësia ende nuk është vendosur. Por ne nuk do të ndalemi së kërkuari atë që na takon, drejtësi për viktimat dhe ndëshkimin e krimeve të luftës së fundit në Kosovë. Në këtë ditë, kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ata që ranë për lirinë e Kosovës dhe i jemi mirënjohës për jetë sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe martirëve të rënë. Lavdi e përjetshme martirëve të Reçakut”, ka shkruar Konjufca.