Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi të martën se përparimi i Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në BE varet nga përkushtimi për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe shmangia e veprimeve të njëanshme.
Në një debat në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Kos theksoi se Komisioni Evropian është i gatshëm të përgatisë mendimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, sapo të marrë një kërkesë formale nga Këshilli i BE-së.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor 2022, por kërkesa ende nuk është shqyrtuar, duke e lënë Kosovën si vendin e vetëm në rajon pa statusin e kandidatit.
Komisionarja bëri gjithashtu thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja në Kosovë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke theksuar se “një qeveri funksionale dhe një Kuvend janë të domosdoshëm që Kosova të përfitojë nga plani i reformave dhe rritjes”.
Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet për të 25-ën herë më 2 qershor, për shkak të mungesës së konsensusit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare mbi mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të parlamentit. Kandidatura e propozuar nga LVV, Albulena Haxhiu, është kundërshtuar si figurë përçarëse.