Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se ka marrë edhe një përgjigje tjetër nga Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, për çështjen e trajtimit të pakicave, përfshirë edhe shqiptarët, nga ana e shtetit serb.
“Shqiptarët e Luginës po marrin vëmendje gjithnjë më të madhe në institucionet e Brukselit! Marta Kos, Komisionere e Bashkimit Evropian për zgjerim, nëpërmjet një letre të dërguar, siguron se BE po e përcjellë nga afër trajtimin e pakicave dhe pozitën e tyre në Serbi dhe konfirmon se Kapitulli i 23 është i rëndësishëm për rrugëtimin e Serbisë drejtë BE-së”, ka shkruar Kamberi.
Në përgjigje, Kos tha e siguroi Kamberin se “Komisioni po ndjek nga afër trajtimin e personave që i përkasin pakicave kombëtare, përfshirë situatën e komunitetit shqiptar në Serbi, gjithashtu në kontekstin e zotimeve të marra nga Serbia në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE”.
Ndërkaq, për pasivizim të adresave, Kos tha se i kanë kërkuar autoriteteve serbe të shpjegojnë se si po ndodh ky proces dhe nëse shënjestër është jugu i Serbisë ku jetojnë shqiptarët.
“Lidhur me çështjen specifike të ‘pasivizimit’ të adresave, kemi theksuar në raportin tonë të Paketës së Zgjerimit për vitin 2024 për Serbinë nevojën që autoritetet të shpjegojnë më mirë për publikun se si po kryhen verifikimet e statusit të qëndrimit, gjë që po rezulton në ‘pasivizimin’ e disa adresave dhe nëse jugu i Serbisë është veçanërisht i shënjestruar”, thuhet në përgjigjen e Kos./Express/