Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, paralajmëroi se ditëve në vijim do të jetë me qytetarët për fushatën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të dhjetorit.
Haradinaj iu bëri thirrje qytetarëve që të votojnë dhe se tash është kohë për guxim e për vendime të mëdha.
“Secili prej nesh do ta marrim përgjegjësinë që ta udhëheqim Kosovën drejt sigurisë, zhvillimit dhe drejtësisë. Data është caktuar. Më 28 dhjetor, Kosova flet. Populli vendos”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj tha se Kosova nuk mbrohet prej zyrave të propagandës që i fyen gazetarët dhe mediat, por se ajo ndërtohet në terren.
Ai shtoi se populli e “ka kuptuar” dhe e “ka parë mashtrimin” dhe “propagandën që fyen çlirimtarët, që e sulmon luftën tonë të shenjtë”.
Postimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Kosova nuk pret më.
Koha e fjalëve ka kaluar.
Tani është koha e vendimeve të mëdha, dhe të guximshme.
Sot, secili prej nesh e ka një detyrë.
Ta mbrojmë të ardhmen e vendit tonë.
Jo me fjalë të thata, por me votë të pastër, me qëndrim të fortë, dhe me dinjitet.
Secili prej nesh do ta marrim përgjegjësinë që ta udhëheqim Kosovën drejt sigurisë, zhvillimit dhe drejtësisë.
Data është caktuar.
Më 28 dhjetor, Kosova flet. Populli vendos.
Kur voton ushtari, shtetit i kthehet nderi.
Kur voton polici, familjet marrin siguri.
Kur voton bujku, toka jonë merr frymë e ringjallet.
Kur voton mjeku, shoqëria shërohet.
Kur voton profesori, mësuesi, studenti, nxënësi, ndërtohet e ardhmja.
Kur voton populli, fitojnë gjeneratat.
Ne nuk jemi këtu as për frikësim, as për iluzione.
Jemi këtu për ta kthyer besimin tek shteti.
Për t’i dhënë Kosovës qeverisjen që punon, që s’dridhet, që nuk i shërben propagandës, por shtetit dhe qytetarëve, pa dallim.
Dhe ditëve në vijim, do të jem me ju kudo.
Në secilin fshat, në secilën lagje, në secilën familje që ka mbajtur Kosovën gjallë në ditët më të vështira.
Sepse Kosova ndërtohet në terren, dhe jo me propagandë.
Tani jemi në udhëkryq, të zgjedhjes së madhe.
Mërgimtarët tanë do t’i presim si gjithmonë.
Janë zemra e Kosovës në botë, janë krahu i fortë i familjes, janë ajri që e mban shtetin tonë gjallë.
Me votën e tyre, me votën tuaj, Kosovës i kthehet shpresa.
Ne nuk kërkojmë lëmoshë.
Ne kërkojmë shtet.
Shtet me ekonomi të fortë, me siguri të garantuar, me punë për të rinjtë, e me dinjitet për të moshuarit.
Ne nuk e harrojmë Amerikën.
Nuk e harrojmë NATO-n.
Sepse pa aleatët tanë, s’ka shtet të sigurt.
Populli e ka kuptuar.
E ka parë mashtrimin.
E ka parë propagandën që fyen çlirimtarët, që e sulmon luftën tonë të shenjtë.
Prandaj, ne jemi gati.
Ta bindim secilin njeri që e do Kosovën, secilin prind që mendon për fëmijët e vet, secilin punëtor që djersitet për bukën e gojës.
Kosova nuk mbrohet prej zyrave të propagandës që i fyen gazetarët dhe mediat.
Kosova mbrohet prej popullit.
E populli më 28 dhjetor do të flasë fort.
E do të flasë drejt.
Mirë u pafshim në takimet tona të radhës!













