Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Kosova në krizë, por bota shikon nga ana tjetër

26/06/2025 - 15:39
në Lajme
A A
Kosova në krizë, por bota shikon nga ana tjetër
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Më shumë kohë u duhet të hyjnë dhe të sistemohen në sallë, sesa të konstatojnë atë që prej kohësh është bërë e pritshme.

Të mërkurën, më 25 qershor, deputetët e zgjedhur të Kosovës dështuan për herën e 37-të të konstituojnë institucionin ligjvënës dhe për këtë u deshën vetëm rreth dy minuta kohë.

Këto përpjekje, që prej 15 prillit, janë shndërruar në një rit që përsëritet çdo të dytën ditë – me saktësi gati kronometrike, por pa asnjë rezultat.

Fajtorë – sipas versionit të secilit – janë “ata tjerët”: Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, akuzon partitë opozitare për bllokim, ndërsa këto të fundit kundërpërgjigjen me akuza për papërgjegjësi.

Ngjarja duket se ka humbur edhe vëmendjen publike: nuk është më kryelajm, as nuk kap titujt.

E, pragun e rëndësisë padyshim se nuk e kalon as në agjendat globale.

Përveç ndonjë thirrjeje të shpejtë për zgjidhje, vëzhguesit thonë se bota e ka përqendruar vëmendjen te sfidat më urgjente – nga lufta në Ukrainë deri te konfliktet në Lindjen e Mesme.

“Mund të ketë pjesë të aparatit shtetëror në vende si Britania apo Gjermania që janë të vetëdijshme për problemin [në Kosovë], por ato nuk arrijnë të tërheqin vëmendjen e vendimmarrësve të lartë. Pa angazhimin e tyre, është e vështirë të ushtrohet presion mbi aktorët, për të shtyrë përpara ndonjë progres”, thotë për Radion Evropa e Lirë James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës.

Zërat ndërkombëtarë dhe perceptimet për Kurtin
Ndër zërat që bien në kontrast me heshtjen e përgjithshme ndërkombëtare, është ai i ambasadorëve të vendeve të QUINT-it – SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Italisë dhe Francës – të akredituar në Prishtinë.

Në disa raste, ata i kanë rikujtuar politikës kosovare detyrimet kushtetuese dhe domosdoshmërinë për të funksionalizuar institucionet.

Më i fundit që ka reaguar, ka qenë ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde – dhe jo për herë të parë.

Në një postim publik më 25 qershor, ai përsëriti shqetësimin e tij për bllokadën politike, duke theksuar se “Kosova ka nevojë për institucione funksionale tani”.

Sipas tij, “qytetarët presin udhëheqje, e jo ngërç politik”.

“Është koha që deputetët e zgjedhur të veprojnë në interes të Kosovës: vendi i pari, politika partiake e dyta”, tha Rohde.

Për Ker-Lindsayn, barra më e madhe bie mbi Kurtin, i cili, si udhëheqës i partisë më të madhe dhe kryeministër në detyrë, duhet të bëjë hapin e parë drejt kompromisit.

Por, pritshmëritë e tij janë të ulëta. Ai thotë se Kurti perceptohet më shumë si faktor që e pengon dialogun sesa si forcë që sjell zgjidhje.

“Kjo lidhet edhe me ato që i kemi parë më herët, kur Vetëvendosje përdorte gaz lotsjellës, bomba tymuese apo sende të ngjashme gjatë seancave në parlament”, kujton eksperti britanik.

Sipas tij, ky imazh i lë edhe vendimmarrësit ndërkombëtarë në një pozicion më të tërhequr.

Për më tepër, thotë se Kurti i ka sfiduar shpesh edhe kërkesat e vetë atyre – qoftë për veprimet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, qoftë për qëndrimet e ngurta në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë – dhe kjo, pastaj, “e ka dëmtuar besimin ndaj tij si lider me vullnet të mirë dhe përgjegjësi politike”.

Ndaj, thotë Ker-Lindsay, shumë prej aktorëve ndërkombëtarë preferojnë të qëndrojnë në hije, duke reaguar vetëm në rast se tensionet përshkallëzohen.

“Ndërkombëtarët nuk ndihen se mund të bashkëpunojnë me të. Nuk ndihen se mund t’i besojnë. Nuk kanë besim se ai është serioz në përpjekjet për t’i zgjidhur problemet e mëdha dhe për të vepruar në mënyrë të përgjegjshme politike”, thotë Ker-Lindsay.

Zgjidhja në favor të vetë Kosovës
Ndryshe prej tij, Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, e sheh situatën me më shumë nuanca.

Ai thotë se sfidat në Kosovë nuk mund t’i atribuohen vetëm një personi apo partie, pasi atmosfera politike dhe presionet ndërkombëtare janë komplekse dhe shpesh kontradiktore.

Ai nuk ka përgjigje të qartë se si mund të dilet nga ngërçi parlamentar, por mendon se ndërhyrja nga jashtë – qoftë nga BE-ja apo SHBA-ja – nuk do të ishte e dobishme.

Sipas tij, zgjedhja më e mençur do të ishte që partitë të angazhoheshin vetë në zgjidhjen e situatës, duke kapërcyer ngërçin institucional, konstituar Kuvendin dhe formuar një qeveri funksionale, që do të angazhohej pastaj në procese të rëndësishme që e presin vendin.

“Sigurisht që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është duke vuajtur gjithashtu, por, nga ana tjetër, ai ka qenë i vdekur për shumë vite, edhe për arsye që nuk kishin të bënin fare me Qeverinë e Kosovës”, thotë Vogel për Radion Evropa e Lirë.

Dalja nga kjo krizë, sipas tij, do t’i jepte Kosovës mundësi që t’i tregonte botës se është palë konstruktive dhe serioze, ndërsa Serbia ësht

Për ndikimin e bllokadës institucionale në rrugën e integrimit evropian të Kosovës, dy vëzhguesit janë në një mendje.

“Integrimi i Kosovës në BE ka ngecur plotësisht për shkak të pesë vendeve mosnjohëse dhe disa vendeve njohëse – mbi të gjitha Hungarisë – që janë armiqësore ndaj Kosovës, ose të tjerave – si Franca – që janë armiqësore ndaj zgjerimit”, thotë Vogel.

“Bllokada nuk do t’i bëjë asnjë nder Kosovës. Nuk do t’i ndihmojë në asnjë mënyrë. Do të shihet vetëm si një shembull i një problemi politik, që duket se ka ekzistuar për një kohë mjaft të gjatë”, shton Ker-Lindsay.

Bota ndryshon, Kosova në vendnumëro

Ndërsa figurat jashtë Kuvendit, qofshin zyrtarë ndërkombëtarë, vëzhgues apo përfaqësues të shoqërisë civile, përpiqen – në një mënyrë ose tjetër – ta rrisin presionin për formimin e institucioneve, Lëvizja Vetëvendosje mbetet e fiksuar pas emrit të Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, e opozita në kundërshtimin e saj dhe në kërkimin e një alternative tjetër.

Që nga 15 prilli kur edhe ka nisur kjo sagë parlamentare, bota ka kaluar nëpër disa zhvillime që, drejtpërdrejt ose tërthorazi, prekin edhe Kosovën: intensifikimi i ofensivës ruse në Ukrainë, përshkallëzimi i tensioneve mes Izraelit dhe Iranit, zotimi i NATO-s për të rritur masivisht shpenzimet për mbrojtje…

Në Kosovë, politikëbërësit i kanë dënuar ose mirëpritur këto zhvillime përmes deklaratave të shkurtra politike, por pa dhënë ndonjë sinjal se janë të gatshëm të adaptohen shpejt ndaj realiteteve të reja gjeopolitike.

Retorika e tyre ka marrë më shumë formën e një rrethi vicioz, me fraza të njohura: “fajin e ka tjetri”, “mungon kuorumi”, “seanca ndërpritet”, “rifillon pas 48 orësh”…

Tash për tash, e njëjta lojë pritet të përsëritet edhe më 27 qershor kur Kuvendi të mblidhet sërish, e ndoshta edhe më 29, edhe më 1 korrik, më 3, më 5, 7, 9…

Kushtetuta nuk i pengon, e vetë deputetët nuk ndalen.

Ndaj, për një zgjidhje reale mund të duhet ndonjë mrekulli politike.

“Është vërtet e trishtueshme ta shohësh këtë situatë, por nuk e di se si mund të zgjidhet… përveç nëse Donald Trump vendos ta ndryshojë”, përfundon me sarkazëm Ker-Lindsay

JU REKOMANDOJMË

Operacioni i parë në botë në tru me AI: Tumori u hoq, pacientit iu shpëtua shikimi

Operacioni i parë në botë në tru me AI: Tumori u hoq, pacientit iu shpëtua shikimi
28/08/2026 - 23:05

Teknologjia ndërhyri aty ku edhe një milimetër mund të ndryshonte gjithçka Një burrë në Britaninë e Madhe është bërë pacienti i parë në botë që iu nënshtrua një...

Më shumëDetails

Ministrja serbe e Energjisë thotë se SHBA’ja ia ka zgjatur edhe për një muaj NIS’it licencën e punës

Ministrja serbe e Energjisë thotë se SHBA’ja ia ka zgjatur edhe për një muaj NIS’it licencën e punës
28/08/2026 - 22:52

Shtetet e Bashkuara kanë zgjatur edhe për një muaj licencën e punës për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), njoftoi ministrja e Energjisë së Serbisë, teksa zyrtarët shpresojnë...

Më shumëDetails

Gatishmëria e Vuçiq për varrim “civilizues” të Mlladiqit, Bruksel thotë se glorifikimi i kri’minelëve s’ka vend në BE

Gatishmëria e Vuçiq për varrim “civilizues” të Mlladiqit, Bruksel thotë se glorifikimi i kri’minelëve s’ka vend në BE
28/08/2026 - 22:40

Komisioni Evropian deklaroi të premten se u takon autoriteteve të Serbisë të përcaktojnë se çfarë roli do të kenë në varrimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, por...

Më shumëDetails

1.7 milion udhëtarë këtë muaj në Aeroportin e Rinasit, Rama: Rekordi i një dite mbi 60 mijë

1.7 milion udhëtarë këtë muaj në Aeroportin e Rinasit, Rama: Rekordi i një dite mbi 60 mijë
28/08/2026 - 22:02

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë një postim në rrjetet sociale sa i përket fluksit të madh në Aeroportin e Rinasit. Në postimin e tij, ai shkruam...

Më shumëDetails

Ndërpritet furnizimi me ujë në disa zona të Prishtinës, ekipet dalin në terren për sanimin e defektit

Ndërpritet furnizimi me ujë në disa zona të Prishtinës, ekipet dalin në terren për sanimin e defektit
28/08/2026 - 21:57

Një defekt në rrjetin e ujësjellësit ka lënë pa furnizim me ujë banorët e rrugës “Xhemajl Berisha”, rrugës “Muharrem Berisha” dhe një pjesë të Velanisë. Një defekt në...

Më shumëDetails

Rusia po humb 6,000 trupa më shumë në muaj sesa arrin të rekrutojë

Rusia po humb 6,000 trupa më shumë në muaj sesa arrin të rekrutojë
28/08/2026 - 21:55

Rusia po humb rreth 6,000 trupa më shumë në Ukrainë çdo muaj sesa arrin të rekrutojë, kanë deklaruar zyrtarë perëndimorë. Ndërsa Rusia vazhdon të rekrutojë me ritëm të...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Naftëtarët kërkojnë anulimin e kontrollit të çmimeve: Po dëmtohen bizneset dhe konkurrenca

    Këto janë çmimet e derivateve për sot

    88 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22
  • Ministri Muja e heq drejtorin Hoxha nga detyra, AUV-i nën drejtimin e tij ishte adresë nacionale e skandaleve

    88 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22
  • Skandaloze: Punonjësi i OSBE-së në Kosovë i jep “lavdi” kriminelit të luftës – fshin postimin, por jo foton me të dënuarën për spiunazh

    85 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21
  • Parashkruhet njëra vepër, ndryshohet aktakuza ndaj Sveçlës

    84 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21
  • “Mos thoni se kemi ditë”, Fitore Pacolli kërcënon kompaninë punuese në Podujevë

    83 Shpërndaje
    Shpërndaje 33 Tweet 21

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë