Kombëtarja e Kosovës ka nisur përgatitjet për ndeshjen e fundit të këtij edicioni në Ligën e Kombeve, ku të martën do të përballet me Irlandën në udhëtim.
Pas barazimit 0:0 me Izraelin, Dardanët kanë zhvilluar sot një seancë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda.
Në këtë stërvitje, tekniku gjerman kishte në dispozicion 13 futbollistë, ndërsa lojtarët që ishin titullarë në përballjen me Izraelin zhvilluan seancë rigjeneruese në palestrën e hotelit.
Kombëtarja e Kosovës do të udhëtojë pasditen e sotme drejt Dublinit, ku do të vazhdojë përgatitjet për sfidën e së martës kundër Irlandës.
Kjo përballje është me rëndësi të madhe për Dardanët, pasi në lojë është pozita e dytë në grup, të cilën synojnë ta sigurojnë në mbyllje të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.














