Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për decertifikimin e 9 kandidatëve nga subjekte të ndryshme politike.
Kandidatët vijnë nga këto subjekte politike: Prishtina në dorën tënde (1); Partia Demokratike e Kosovës (1); Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve (1); Partia Liberale Egjitpiane (2) dhe Alternativa (4).
KQZ mori vendim për miratimin e rekomandimit të Komisionit për Kundërshtim Administrativ, i cili ka shqyrtuar ankesat e aplikuesve që janë refuzuar për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale 2025.
Numri i përgjithshëm i kundërshtimeve të paraqitura brenda afatit në komisionin e formuar nga KQZ, është 275, prej të cilave: 174 aplikuesve u refuzohet kërkesa për kundërshtim administrativ pasi nuk kanë paraqitur kundërshtimin sipas procedurës për të cilën janë njoftuar; 77 ankesa janë aprovuar pasi aplikuesit kanë bashkëngjitur dokumentet që kërkoheshin dhe 24 shtetas janë rikthyer në Listën Votuese brenda Kosovës pas kërkesës të tyre për anulimin e regjistrimit për votim jashtë vendit.
Gjithashtu u mor vendim për miratimin e procedurës standarde të veprimit për votimin jashtë Kosovës dhe vlerësimin e pakove me fletëvotime.
“Sipas Rregullës Zgjedhore për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës KQZ do të sigurohet që shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotime, andaj kjo procedurë parasheh që zarfi i dërguar nga KQZ përmes postës të pranohet vetëm nga personi i regjistruar. Zyrtari i postës duhet të sigurohet që të kontrollojë përmes dokumentit identifikues personin për të cilin është i dedikuar zarfi/pako me fletëvotime”, njofton KQZ.