Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Gazeta Blic se KQZ-ja do të vlerësojë nëse vendimet për ankesat përmbajnë obligime konkrete që duhet të zbatohen nga ky institucion.
“KQZ është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse. Mbetet të shihet nëse vendimet e tyre përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare. Nëse këto vendime s’përmbajnë diçka të tillë, atëherë pasi bëhen të plotfuqishme, KQZ është e gatshme menjëherë t’i shpall rezultatet përfundimtare”, tha ai.
Elezi potencoi se shpallja e rezultateve përfundimtare nuk nënkupton edhe përmbylljen e procesit zgjedhor, pasi subjektet politike dhe palët e përfshira kanë të drejtë të paraqesin ankesa edhe ndaj këtyre rezultateve.
“Shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyllë procesin zgjedhor, pasi palët kanë të drejtë ankese ndaj këtyre rezultateve. KQZ, ngjashëm si tani, duhet të presë afatin e ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse, t’i zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime dhe pastaj të procedojë me certifikimin e rezultateve”, ka deklaruar Valmir Elezi.













