Vazhdimi i seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sërish sot, me vendim të kryesuesit Avni Dehari.
Deputeti i Vetëvendosjes, Nezir Kraki, duke komentuar këto zhvillime në “Debat Plus” ka thënë se bllokada ka origjinë nga mosmarrëveshjet e partive opozitare rreth interpretimit të dorëheqjes së qeverisë pas zgjedhjeve dhe jo nga partia fituese.
“Origjina e këtij bllokimi, është kundërshtimi i partive opozitare rreth këtij nocioni të dorëheqjes, se a është në kohën duhur, formën e duhur. Kjo është origjina, veç ta kemi të gjithë të qartë. Dhe bllokimi i parë që erdhi, nuk e orkestroi atë bllokim Albin Kurti, partia fituese. Procesi u bllokua, ishte me figurë dhe zë nga opozita”.
“Ajo nevojë për interpretim apo sqarim të nocionit të dorëheqjes, të qeverisë të dorëhequr, apo në detyrë pas zgjedhjeve, pas certifikimit mbetet e pasqaruar nëse votohet raporti. Dhe i ke dy-tre parti që nuk janë dakord dhe mendojnë se është dhunuar Kushtetuese në hapin e parë. Pastaj të gjithë hapat që kanë pasuar bien ndesh me Kushtetutën. Dhe ata do ta kenë legjitime kërkesën për të kërkuar sqarim nga Gjykata Kushtetuese më vonë”, ka thënë Kraki.
Kraki gjithashtu kritikoi vetë procedurat e Kuvendit, duke thënë se procesi i validimit dhe votimit të mandateve është “totalisht i panevojshëm”.
“Unë veç sa jam fut në Kuvend dhe po konstatoj që edhe procedura e validimit dhe votimit të mandateve në Kuvend, sipas meje, është totalisht e panevojshëm. Është procedurë aty prej vitesh, por nuk ka pas nevojë të instalohet një gjë e tillë. Sepse s’ka praktikë të tillë në Evropë”, ka shtuar Kraki.