Kryeministri në detyrë Albin Kurti, gjatë mbledhjes së 249-të të Qeverisë, njoftoi se janë në fazën finale të numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit, me fillimin e numërimit të votave të diasporës.
Ai theksoi se deri në javën tjetër priten rezultatet përfundimtare dhe shprehu gatishmërinë për formimin e institucioneve të reja.
Kurti falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen masive, përfshirë diasporën, e cila pati mundësinë të votojë për herë të parë në ambasada dhe konsullata.
Ai gjithashtu theksoi arritjet në shërbimet për bashkatdhetarët, si njohja e patentë-shoferëve të Kosovës në disa shtete, duke përmirësuar mundësitë e integrimit dhe ulur shpenzimet për diasporën.
Adresimi i plotë:
Kemi hyrë në fazën finale të procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit. Sot fillon numërimi i votave të diasporës. Sipas njoftimeve të Komisionit Qendror Zgjedhor, më së largu, deri në javën tjetër pritet të kemi rezultatet përfundimtare për subjektet politike.
Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e 9-të. Deri atëherë nga ju, të nderuar kabinet qeveritar, kolegë, pres që të vazhdoni punën dhe punët e mira me po të njëjtin ritëm.
Ndërkaq, të gjithë presim nga Komisioni Qendror Zgjedhor edhe më shumë angazhim për përfundimin e procesit të numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve për të përmbyllur kësisoj një proces zgjedhor të lirë, të rregullt, të ndershëm e demokratik, me pjesëmarrje masive të qytetarëve, për çfarë falënderoj secilen dhe secilin.
Pjesëmarrje më të lartë ndonjëherë në zgjedhje pati edhe diaspora jonë, e cila për herë të parë, përveç votimit me postë, pati mundësinë të votojë edhe në ambasada dhe konsullatat tona. Falënderoj bashkatdhetarët që morën pjesë në këto zgjedhje, qoftë përmes votimit nga jashtë, qoftë duke udhëtuar në Kosovë për të votuar, duke u bërë ashtu edhe siç janë pjesë e pandashme e vendimmarrjes për vendin tonë.
Në anën tjetër, të pandashëm nga mërgata jonë kemi qenë edhe ne përgjatë gjithë qeverisjes sonë në këtë mandat. Ministritë tona, ajo e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ashtu edhe e Punëve të Brendshme, janë angazhuar vazhdimisht në shtimin përmirësimin dhe digjitalizimin e shërbimeve për bashkatdhetarët tanë.
Një prej lehtësimeve më të mëdha është njohja e patentë-shoferëve të Kosovës nga vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Kjo përveçse ul shpenzimet dhe kursen kohën, mundëson integrimin më të shpejtë në tregun e punës. Fillimisht ishte Gjermania ajo që i njohu patentë-shoferët tanë. Nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, nga prilli i vitit 2023, rreth 30 mijë bashkatdhetarë kanë konvertuar patent-shoferët nëpërmjet kësaj marrëveshje. Nga muaji i kaluar ka hyrë në fuqi marrëveshja me Italinë për njohjen e patentë-shoferëve. Ndërkaq, nga muaji i ardhshëm, siç ka njoftuar edhe Ambasada jonë në Austri hyn në fuqi ndryshimi i Rregullores zbatuese të Ligjit të patentës së shoferëve në Austri, gjë që lehtëson procedurën e konvertimit të saj për shtetasit e Republikës së Kosovës. Pas Gjermanisë, Italisë dhe Austrisë, në proces të finalizimit të njohjes së ndërsjellë të patentë-shoferëve, jemi edhe me Kanadanë dhe Turqinë.
Përherë e më shumë shërbimin tonë diplomatik po e vëmë në shërbim të qytetarëve dhe të bashkatdhetarëve.