Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka reaguar pas tentativës së autoriteteve komunale për të larguar billbordin me fotografinë e ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryekuvendarit Kadri Veseli.
Në postimin e tij, Peci thekson se Mitrovica duhet të jetë një qytet ku sundon rregulli, rendi dhe ligji. Ai shpjegon se tabelat reklamuese po largohen nëse janë vendosur pa leje ose përdoren kundërligjshëm, por ka rekomanduar që billbordi i Thaçit dhe Veselit të mbetet për shkak të rrethanave të veçanta.
Ai gjithashtu i drejtohet përfaqësuesve të PDK-së që protestuan, duke shkruar se shqetësimi i tyre duket më shumë për bizneset sesa për figurat politike në foto.
Postimi:
Të dashur qytetarë,
Të gjithë duhet të mësohemi që Mitrovicën ta bëjmë qytet normal ku sundon rregulli, rendi dhe ligji.
Autoritetet komunale po largojnë tabelat reklamuese/billbordat që janë vendosur pa leje dhe shfytëzohen kundërligjshëm.
Si kryetar, u kam rekomanduar që të ketë përjashtim vetëm billbordi i vendosur për ish Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryekuvendarin Kadri Veseli për shkak të rrethanave në të cilat gjenden ata.
Përfaqësuesit e PDK-së që paskan dalë për të bërë filma në rrugë, le të pijnë ndonjë pije të ftohtë sepse po iu dhimbsen bizneset e jo Thaçi e as Veseli.













