Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar ndaj mospjesëmarrjes së PDK-së dhe LDK-së në votimin për zgjedhjen e Nenad Rashiqit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.
Ai tha se një vendim i tillë është i pakuptimtë, duke theksuar se Kushtetuta përcakton qartë kushtin e vetëm – kandidati duhet të jetë deputet nga komuniteti serb.
Sipas tij, askund nuk thuhet se ai duhet të vijë domosdoshmërisht nga partia më e madhe serbe.
Kryeziu kujtoi se edhe rregullorja e Kuvendit, e cila është akt më i ulët se Kushtetuta, e parasheh mundësinë që në rast refuzimi nga partia më e madhe serbe, situata të përfundojë përmes shortit.
“PDK dhe LDK mund të thirren në argumente politike, por nuk ekziston asnjë argument juridik që e pengon nominimin dhe zgjedhjen e Rashiqit”, u shpreh ai.
Sipas Kryeziut, e udhës është që Kuvendi të votojë Rashiqin të enjten, me ç’rast do të mundësohej konstituimi i institucioneve. Ndërsa, siç tha ai, Lista Serbe mund ta kontestojë më pas këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
“Aman, mos u bëni më katolikë se Papa, se nuk po dua të shprehem ndryshe”, përfundoi Kryeziu.