Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka komentuar ngërçin institucional që po vazhdon pas disa dështimeve për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit të Kosovës.
Ai theksoi se, përveç numrave, institucionet kërkojnë legjitimitet dhe bashkëpunim për të krijuar një shumicë funksionale – çka sipas tij, nuk po arrin ta sigurojë Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidatja e saj, Albulena Haxhiu.
Kryeziu tha se Vetëvendosje po përballet me një zgjedhje të pashmangshme: ose ta ndryshojë kandidaten, ose të angazhohet në negociata reale me partitë e tjera.
Sipas tij, refuzimi për të ndryshuar pozicion vetëm sa po e thellon krizën politike dhe institucionale. Ai paralajmëroi se në një demokraci funksionale, mungesa e shumicës parlamentare nënkupton edhe humbje të fuqisë politike.