Kryeministri Albin Kurti evidentoi “defekte kapitale” në punën e Gjykatës Speciale në Hagë, e cila në shkallë të parë i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte, katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti tha se nuk ka pritur drejtësi.
“Nuk mund të them se kam pritur drejtësi, për shkak se asnjëherë s’e kam ndryshuar qëndrimin tim për këtë gjykatë”, tha ai.
Ai numëroi “tri defekte kapitale”.
“I pari është cilësimi ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’. Nuk ka pasur ‘ndërmarrje të përbashkët kriminale’ dhe kjo duhet do e mos të korrigjohet në Apel. E dyta është që ka munguar transparenca dhe ka pasur në njëfarë mënyre absolutisht veçse gjykatë monoetnike […] Dhe i treti natyrisht, ato pasaktësitë faktike dhe historike të cilat i dëgjyam me datën 16 shtator”, tha ai.
Kurti tha se aktgjykimi i plotë ka “mijëra faqe” dhe se dyshon që dikush nga ekipet mbrojtëse ka arritur ta lexojë në tërësi.
“Por të mos harrojmë se atë ditë janë lexuar dhjetëra faqe, por vendimi i plotë është mijëra faqe. Ndoshta është lexuar një përqindje njëshifrore e vendimit të përgjithshëm, në rastin më të mirë. Dhe është çështje javësh besoj kur do të dalë verdikti i plotë dhe unë dyshoj që ndokush edhe prej ekipeve të mbrojtjes ka arritur që deri më tash ta lexojë në plotni e me saktësi të gjithë verdiktin, se është shumë voluminoz”, tha ai.
Kurti tha se Kosova duhet t’i mbrojë së bashku me Shqipërinë ish-krerët e UÇK-së.
“E në mbrojtjen që duhet t’ua bëjmë si shtet e si shoqëri, por unë do të thoja edhe si Shqipëri, sepse ju e dini që gjenocidi i Serbisë në Kosovë nuk ka ndodhur pse thjesht jemi të Kosovës, por për shkak që jemi shqiptarë”, tha ai.
“Dhe ju e patë që në vendimin, në aktgjykimin e Dhomave të Specializuara u përmendën 14 komuna të Kosovës, por u përmendën edhe dy në Shqipëri. Prandaj këtu duhet të jemi bashkë, jo vetëm spektri politik në Kosovë. Bashkë si shtet gjithsesi, bashkë si shoqëri pa dyshim, por edhe bashkë me Shqipërinë. Dhe vetëm në këtë mënyrë, me një strategji të përbashkët shtetërore, me qëllimin e përbashkët fitoren në Apel ne dalim triumfues”, tha Kurti.
Kryeministri tha se “çështja është tejet e rëndësishme, por nuk bën të bëjmë gabime”.
“Nuk na falen më gabimet. Nëse gabon rregullisht, diçka qenësore nuk është në rregull”, tha ai.













