Bekim Sejdiu është emri që Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, janë pajtuar në parim që ta kenë kandidat për President të Kosovës, ka kuptuar VOX Kosova.
Sejdiu është ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Ai ka qenë gjyqtari raportues në rastin KO95/20, rastin që çoi në rrëzimin e Qeverisë së Avdullah Hotit.

Bekim Sejdiu.
Pajtimi për Sejdiun u arrit në takimin e parafundit që Kurti dhe Abdixhiku patën, të mërkurën.
Nuk dihet nëse palët kanë lëvizur nga ky pozicion.
Një numër i konsiderueshëm i deputetëve të LDK-së, duke filluar nga Avdullah Hoti, vështirë që do të kenë votë për gjyqtarin që dikur ia rrëzoi Qeverinë.
Në mbrëmjen e kësaj të shtune, Kurti e Abdixhiku u takuan pa paralajmërim dhe as nuk u deklaruan për media se për çfarë kanë biseduar.
“Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme për juve”, tha shkurt Kurtin për gazetarë.
Kryeministri në detyrë dhe kreu i LDK-së kanë zhvilluar disa takime për çështjen e Presidentit. Për takimin e parafundit thanë se është “një hap përpara” duke qenë se kanë diskutuar për emra konkretë, të cilët nuk i bënë publikë.
Ndërkohë, Kuvendi po vazhdon të mbetet i pakonstituuar, ndonëse afati kushtetues ka kaluar që nga 7 gushti.
Vetëvendosja i ka votat për konstituimin e Kuvendit, por kanë thënë se duhet marrëveshje për Presidentin.
Nga ana tjetër, opozita, posaçërisht Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, e kanë akuzuar VV-në për “cenim të rendit kushtetues”.
Pikërisht për shkak të moszgjedhjes së Presidentit, Kosova kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor.













