Tri ditë kanë mbetur krejt kur vendi ose duhet të ketë President të zgjedhur, ose me automatizëm shpërbëhet legjislatura dhe vendi shkon në zgjedhje të reja; dhe kjo vetëm një muaj pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjes së Qeverisë së Albin Kurtit III.
Familja e heroit kombëtar shqiptar, Adem Jasharit, refuzoi thirrjet dhe kërkesën e Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës që president të jetë dikush nga radhët e tyre, si Murat Jashari, Bekim Jashari apo Bashkim Jashari.
I dyti i qeverisë, Glauk Konjufca, qytetarëve të Kosovës ua kumtoi ditë më parë sikur të ishte punë-e-kryer që te Jasharët do të zgjidhej çështja e Presidentit, kur s’vonoi disa orë, Murat Jashari në person e refuzoi, dhe tregoi që në fakt e kishte refuzuar qysh më herët.
“U kam treguar atyre pse nuk e bëj”, tha Jashari në një prononcim rastësor në korridoret e fakultetit juridik të Prishtinës. As pas këtij refuzimi të hapur, Albin Kurti i Vetëvendosjes nuk hoqi dorë nga emri i tij, si “figurë ideale unifikuese”, zgjedhja e të cilit do të gjente pajtimin e të gjithëve.
Kurti tha se në mungesë të një kandidati konsensual, preferon që të ketë “kandidatura të propozuara partiakisht” që garojnë në Kuvendin e Kosovës “siç parashihet edhe me Kushtetutë.” Përndryshe, tha ai, vendi shkon në zgjedhje. Krejt në fund, para strukturave të Vetëvendosjes, ai tha se nesër takon edhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Vetëvendosja e ka gjetur veten në heqje nga fjalori të vet Vjosa Osmanin. Kundër krejt rrjedhës mbështetëse të bazës së zgjedhësve të vet të cilët kanë vërshuar çdo përmbajtje online me kërkesën për zgjedhjen e Vjosa Osmanit për një term të dytë, Vetëvendosja s’ka dhënë asnjë indikacion që synojnë konsiderimin e saj.
Një nga ‘proponentët’ më kundërshtues të Osmanit brenda koalicionit të VV-së, del të jetë hiç më pak se Donika Gërvalla, figurë politike e inkuadruar në pushtet nga vetë Vjosa Osmani. Ajo, me ç’ka raportuar gazeta Nacionale përmes burimeve të mirëinformuara, ka bërë presion të madh ndaj deputetëve të GUXO-s për t’u mos u deklaruar në favor të Osmanit.
Një sekretareshë e Guxo-s, ditë më parë në “Debat Pëus” tha se si parti do të dalin me qëndrim të kryesisë, gjë e cila nuk ka ndodur ende. Ajo për më tepër, në “Debat Plus”, me ç’duket, ka tejkaluar autorizimet nga Gërvalla, kur u shpreh se si parti mbështesin Vjosa Osmanin.













