Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Qeveria në mbledhjen e sotme ka aprovuar Udhëzimin Administrativ për Tarifat për Produktet, Shërbimet Kadastrale Gjeodezike dhe Regjistrimit të Pronave.
“Përveç unifikimit të tarifave për të gjithë shërbimet dhe ofrimin e tyre në formë digjitale, ky udhëzim i ri gjithashtu parasheh lirimin nga pagesa për shërbimet dhe produktet kadastrale të këtyre kategorive shoqërore: të gjithë studentët nga Kosova dhe ata që vijnë nga vendet tjera me qëllime të përgatitjes së seminareve dhe punimeve të diplomës; nënat vetëushqyese; personat me asistencë sociale, përkatësisht gratë në asistencë sociale; personat me aftësi të kufizuara dhe viktimat e dhunës në familje dhe të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës”.
Të gjitha vendimet që i mori sot Qeveria
– Aprovuam Udhëzimin Administrativ për Tarifat për Produktet, Shërbimet Kadastrale Gjeodezike dhe Regjistrimit të Pronave. Përveç unifikimit të tarifave për të gjithë shërbimet dhe ofrimin e tyre në formë digjitale, ky udhëzim i ri gjithashtu parasheh lirimin nga pagesa për shërbimet dhe produktet kadastrale të këtyre kategorive shoqërore:
🔹 të gjithë studentët nga Kosova dhe ata që vijnë nga vendet tjera me qëllime të përgatitjes së seminareve dhe punimeve të diplomës;
🔹 nënat vetëushqyese;
🔹 personat me asistencë sociale, përkatësisht gratë në asistencë sociale;
🔹 personat me aftësi të kufizuara;
🔹 viktimat e dhunës në familje;
🔹 të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës.
– Ndaluam përdorimin dhe funksionimin e shërbimeve të rrjetit social “TikTok” në të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës, më qëllim të eliminimit të rreziqeve të sigurisë kibernetike nga përdorimi e këtij rrjeti social.
– Miratuam dy strategji të rëndësishme në fushën e sigurisë dhe të punësimit, e me të dyja bashkë për mirëqenien e qytetarëve tanë:
🔹Strategjinë Shtetërore Kundër Drogave 2024-2028 dhe Planin e Veprimit 2024-2026 përmes së cilës synojmë ngritjen e kapaciteteve institucionale për hetimin dhe luftimin e trafikimit të drogës, si dhe uljen e pranisë dhe konsumimit të drogës në Kosovë, për një shoqëri të shëndetshme dhe të sigurt;
🔹Strategjinë e Punësimit në Kosovë 2024-2028 dhe Planin e Veprimit 2024-2025, që ka për qëllim rritjen e mundësive të punësimit, qëndrueshmërisë së tregut të punës dhe gjithëpërfshirjes së qytetarëve.
-Miratuam gjithashtu edhe Raportin mbi Zbatimin e Programit të Borxhit Shtetëror në të cilin evidentohet që vendi ynë ka një prej niveleve më të ulëta të borxhit shtetëror në kontinentin e Evropës, me vetëm 17.5% të Bruto Produktit Vendor, e krahas tij edhe dy nisma ligjore:
🔹Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentimit të Marrëveshjes për Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Organizatat e Grupit të Bankës Botërore;
🔹Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale.