Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u paraqit sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në cilësinë e të dëmtuarit, për shkak të kanosjes në Facebook nga Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani.
Mirëpo, Kurti kishte refuzuar të shkonte në Prokurorinë Speciale për intervistim në cilësinë e dëshmitarit, duke i ftuar prokurorët të shkonin në zyrën e tij, pasi nuk kishte kohë.
Lidhur me këtë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë për Gazeta Blic se tërë kjo është absurde që tani gjen kohë të shkojë si i dëmtuar dhe të akuzojë persona të tjerë.
“Shihni absurditetin që është në rastin kur kryeministri në detyrë është kanosur, po gjen kohë dhe po lajmërohet në gjykata për ta akuzuar dikë tjetër ndërsa kur vet është ftuar nga prokuroria ka refuzuar, gjë që e kanë akuzuar se si një kryeministër në detyrë po i ikë ballafaqimit me drejtësinë. Nuk është paraqitur pasi ka menduar se nuk është e drejtë, i ka ftuar prokurorët në zyre ndërsa sot ka shkuar për t’i akuzuar disa persona për kanosje”, u shpreh ajo.
Sipas Kadrijajt, këto janë standarde të dhjetëfishta të Kurtit dhe se ai sot nuk është dashur të shkojë në gjykatë, të tërhiqet nga akuzat për kanosje, derisa s’ka shkuar as në prokurori.
“Nuk është dashur të shkojë as sot, pasi s’ka shkuar në prokurori, të tërhiqet nga këto akuza. Ky është standard i dhjetëfishtë, është kjo qeveri, janë standardet e saj, transparenca e saj, s’pritet asgjë e mirë prej këtyre njerëzve”, deklaroi deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.