Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas një takimi dy orësh me kreun e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe deputetë të Kuvendit,deklaroi ku janë diskutuar zhvillimet politike në vend, situata e sigurisë, politika e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ai foli për një kapitull të ri të raporteve politike me partitë opozitare dhe shtoi se zgjidhja për çështjen e presidentit mbetet mes VV-së, PDK-së e LDK-së.
Kurti tha se ai dhe as partitë e tjera nuk nuk preferon zgjedhje të reja në muajin prill.
“Na duhet një shumicë që i ofrohet 85 votave. Do t’i intensifikojmë bisedimet që ta kemi një zgjidhje për çështjen e presientit, sepse pas atyre katër palë zgjedhjeve nuk do të duhej që gjysmëm e parë të vitit 2026 të na e marrin zgjedhjet. Do të përpiqemi maksimalisht që t’i evitojmë zgjedhjet.”, tha Kurti.
“Patëm një takim të gjatë me kryetarin e LDK-së dhe deputetë të Kuvendit. Diskutuam për zhvillimet politike në Kosovë, për situatën e sigurisë, për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Kurti.
Ai tha se është optimist sepse atmosfera e takimeve ishte konstruktive.
Kryeministri theksoi se synimi është që dallimet partiake të mos vihen në funksion në kurriz të interesit shtetëror. Ai falënderoi LDK-në për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Duke folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, Kurti tha se sërish nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve.
“Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, LVV nuk ka garuar me ndonjë emër të veçantë për president. Ne nuk kemi pasur kandidat nga radhët tona dhe nuk kemi anëtar me librezë partie që synon të bëhet president. Njësoj vlen edhe për dy partitë e tjera të mëdha tradicionale, PDK dhe LDK”, deklaroi ai.
Kurti bëri të ditur se kjo është konfirmuar edhe në takimin e mbrëmshëm me kreun e Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, si dhe në takimin sot me Abdixhikun.
“Në vijim, ose do ta gjejmë një emër të përveçëm që garanton dy të tretat e deputetëve që qëndrojnë në sallë dhe votojnë, ose duhet të shohim rrugët e tjera. Presidenti duhet të zgjidhet më së largu deri më 4 mars”, theksoi kryeministri.
Ai shtoi se mbetet e domosdoshme që procesi të përmbyllet me konsensus të gjerë politik, në funksion të stabilitetit institucional dhe interesit shtetëror.
Sipas tij, pjesë e bisedës ishte edhe shtetndërtimi demokratik, drejtësia, progresi i arritur dhe sfidat që e presin vendin. “U zotuam për komunikim dhe kontakte të drejtpërdrejta, për bashkëbisedime të frytshme, në mënyrë që të hapim një kapitull të ri të raporteve mes partive politike, qeverisë dhe opozitës”, u shpreh ai.
Ndryshe, mbrëmjen e së dielës, ai zhvilloi një takim me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.
Sipas afateve kushtetuese, Kosova duhet të zgjedhë presidentin e ri deri më 4 mars, pasi mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i përfundon në fillim të prillit. Osmani ka shprehur ambicien për një mandat të dytë 5-vjeçar, por deri tani nuk është e qartë nëse i ka votat e nevojshme për rizgjedhje. Ndërkohë, asnjë emër tjetër nuk është zyrtarizuar si kandidat potencial.
Kurti, partia e të cilit numëron 57 deputetë në Kuvend, bëri të ditur se në takim me Hamzën është diskutuar edhe për procesin e zgjedhjes së presidentit. Ai theksoi se bashkëpunimi ndërpartiak është i domosdoshëm, duke qenë se në dy raundet e para kërkohen dy të tretat e votave, pra 80 deputetë, për zgjedhje të suksesshme.
Nga ana e tij, Hamza, që drejton një forcë politike me 22 mandate, ka shprehur gatishmëri për koordinim parlamentar në çështje që lidhen me interesin shtetëror dhe kombëtar.
Osmani u zgjodh presidente në vitin 2021 me mbështetjen e Vetëvendosjes, por deri më tani nuk ka një deklarim të qartë publik nga Kurti apo zyrtarë të partisë së tij për një mandat të dytë. Presidentja ka theksuar se synon vazhdimësinë për të përmbyllur projektet që ka nisur gjatë mandatit të parë.
Sipas procedurës, një kandidat për president duhet të sigurojë të paktën 30 nënshkrime deputetësh për të hyrë në garë. Në dy raundet e para kërkohen 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota.
Megjithëse posti i presidentit në Kosovë ka rol kryesisht ceremonial, dështimi për ta zgjedhur në afat do ta çonte vendin automatikisht drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.














