Kryeministri Albin Kurti, në konferencën e thirrur për media, ka thënë se problemi kryesor se pse po ndodhin sulme terroriste në Kosovë, është mosdorëzimi i kryekriminelit, Milan Radoiçiq nga Beogradi zyrtar.
Tutje, Kurti shton se nëse Radoiçiq iu dorëzohet institucioneve të Kosovës, gjasat për një akt terrorist në të ardhmen, bien drastikisht, njofton Klankosova.tv.
“Duke e parë që nuk kemi pasur njerëz të vdekur, dhe po i sanojmë dëmet materiale, kollaj është të flitet sot. Organet e drejtësisë kanë qenë në nivel të detyrës, dhe po e ritheksoj problemi kryesor për bindjen time është fakti që Milan Radoiçiqi nuk dorëzohet nga autoritetet serbe te ato të Kosovës ku duhet të përballet me drejtësinë”, tha i pari i qeverisë.
“Sulmet që i planifikojnë në të ardhmen, drastikisht bie gjasa që të realizohen, nëse i dorëzohet institucioneve të Kosovës Milan Radoiçiqi. Ne kërkojmë nga faktorët ndërkombëtarë, që të ushtrohet trysni mbi Beogradin zyrtar, që ta dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq”.
‘Në Kosovë ka sundim të ligjit, gjykatat janë pa krahasim më të mira se në Serbi, këtë e thonë edhe raportet ndërkombëtare, e përveç kësaj ne kemi edhe EULEX-in. Nëse Serbia do të kishte dyshim se Milan Radoiçiq nuk do të meritonte nga pikëpamja jonë gjykim të drejtë, ose nuk do të përfitonte gjykim të drejtë, këtu është EULEX-i që i monitoron të gjitha rastet në Kosovë”.
Më 29 nëntor u sulmua rëndë kanali kryesor i Ibër Lepencit, ndërsa për këtë akt janë arrestuar tetë persona.