Kryeministri Albin Kurti tha se procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës “nuk ka përfunduar”, duke shprehur pritjen që në procedurën e apelit të adresohen, siç i ka cilësuar ai, “padrejtësitë dhe mangësitë” e aktgjykimit të shkallës së parë.
Kurti tregoi për këtë pas një takimi me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.
“Sot u takova edhe me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce. Biseduam për zhvillimet politike e të sigurisë, marrëdhëniet Kosovë–Serbi, shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe perspektivën euroatlantike të Republikës sonë”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Kurti tha se e ka falënderuar Pierce për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj glorifikimit të personave të dënuar për krime lufte.
“E falënderova për qëndrimin e qartë të Mbretërisë së Bashkuar kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe vlerësova mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, thuhet në postimin e tij.
Kurti u shpreh edhe për aktgjykimet e shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
“Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, ka deklaruar Kurti.
Tha se Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë lidhje historike, ndërsa theksoi edhe perspektivën e përbashkët euroatlantike.
“Me Mbretërinë e Bashkuar na lidh historia e çlirimit dhe shtetndërtimit, por edhe e ardhmja jonë e përbashkët euroatlantike. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, statusi i vendit kandidat për BE dhe thellimin e bashkëpunimit në siguri e mbrojtje ishin po ashtu pjesë e diskutimit të sotëm me znj. Pierce”, shkroi ai
Në fund, Kurti bëri të ditur se e ka uruar paraprakisht Pierce për ditëlindjen.
“Meqë nesër Dame Karen feston ditëlindjen, pata kënaqësinë t’ia uroja paraprakisht dhe t’i dhuroja një kujtim nga Republika e Kosovës”.











