Kurti takon përfaqësuesit e BERZh-it, diskutohen 400 milionë euro investime deri në 2027
09.03.2026 16:52
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Financave, Hekuran Murati, kanë pritur në takim përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në këtë takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe BERZh-it, me fokus të veçantë siç thuhet në komunikatë, në avancimin e projekteve infrastrukturore dhe zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar në vitin 2024, i cili siç thuhet, parasheh një portofol investimesh deri në 400 milionë euro deri në vitin 2027.
“U trajtuan gjithashtu projektet prioritare në fushat e infrastrukturës rrugore, ujërave të zeza, sistemit të ujit, efikasitetit të energjisë dhe transportit publik, si dhe mundësitë për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja financimi gjatë viteve 2026–2027”.
“Kryeministri Kurti e falënderoi BERZh-in për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe theksoi rëndësinë e partneritetit me këtë institucion për realizimin e projekteve strategjike që përmirësojnë infrastrukturën dhe shërbimet për qytetarët”, thuhet në komunikatë.
Zyra e Kryeministrit njoftoi gjithashtu se përfaqësuesit e BERZh-it riafirmuan gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës në zbatimin e projekteve zhvillimore dhe në mbështetje të reformave ekonomike.













