Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se është e vërtetë që ka përgjegjësi për krijimin e Qeverisë së Kosovës, por thotë se për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, përgjegjësia është e të gjithëve, shkruan Express.
“Gjykata ka thënë se s’i zgjidh problemet politike. Ka përmendur bashkëpunim në mirëbesim, konsensus dhe kompromis. Ne e bëmë edhe konsultimin konstruktiv edhe bashkëpunimin në mirëbesim. U pa që konsensus s’ka. Sa i përket kompromisit ne kemi lëvizur”, ka thënë Kurt.
Ai ka treguar dy opsionet që ka ofruar në këtë takim. I pari ka qenë që të procedohet me votimin e fshehtë, dhe nëse Haxhiu s’i merr 61 vota, ajo tërhiqet.
“Kam ofruar dy opsione kompromisi. I pari është që në rast të votimit të fshehtë, nëse kandidatja Haxhiu s’i merr 61 vota, tërhiqet nga kandidatura. E respektoj edhe pse është vendim i saj personal. Në votim të fshehtë, ajo votohet vetëm një herë. Ne kemi lëvizur. Kjo s’duket që u ka bërë përshtypje”, ka thënë Kurti.