Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve shpërfaqi parregullësi të mëdha në procesin e numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Mbi 70 mijë vota dallim ishte vetëm në Prizren, mbi 17 mijë në Malishevë, e mijëra vota tjera nëpër qendrat tjera të numërimeve.
Partia Demokratike e Kosovës i priu garës me më së shumti dallime mes kandidatëve.
“Kampioni” i të gjitha ‘dallavereve’ ishte Fetah Peçaraizi, kandidat për deputet nga Prizreni.
Paçaraizi mori 14 mijë e 365 vota në Qendrat Komunale të Numërimit, por pas vendimit për rinumërim, ai humbi mbi 6 mijë vota. Në total, Paçarizit iu minusuan 6 mijë e 753 vota.
Një numër të madh të votave iu hoqën edhe bashkëpartiakëve të tij: Nait Hasanit, Kujtim Gashit e Luljeta Veselaj Gutaj. Të tre nga komuna e Prizrenit.
Hasanit, djali i të cilit po mbahet në paraburgim për shkak të dyshimeve lidhur me keqpërdorime të votave, iu hoqën 3 mijë e 312 vota. Kujtim Gashit 2 mijë e 423, Luljeta Veselajt 2 mijë e 90, e me mbi 1 mijë vota iu hoqën edhe Arianit Çollakut, Fadil Demakut, Xhavit Halitit, Enver Hoxhajt e Gazmend Maliqajt.
Hiq më mirë në procesin e rinumërimit të votave nuk dolën as kandidatët e partive tjera politike.
Sikurse kolegët e tyre nga PDK-ja, ngjajshëm ndodhi edhe me kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Vendi i parregullsive sërish ishte i njëjtë, Prizreni.
Te LDK-ja më së shumti vota iu hoqën Xhavit Ukës. Uka ka 1 mijë e 363 vota më pak pas vendimit për rinumërim.
Mbi 1 mijë vota iu hoqën edhe Driton Selmanajt, ndërsa ‘më pak’ vota të parregullta kishte gjenerali Anton Quni e ish-kandidati për kryetar të Ferizajt, Visar Azemi.
Qunit iu hoqën 530 vota, ndërsa Azemit 457 sosh.
Afërisht 1 mijë vota iu hoqën edhe ish-kandidatit për kryetar të Pejës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi.
Kelmendi kryeson listën e LVV-së me më së shumti vota të keqpërdorura. Ai ka 922 vota më pak.
Pas Kelmendit radhën në VV e zë Arbër Rexhaj e Rea Krasniqi. Rexhajt iu hoqën 625 vota, kurse Krasniqit 541.
Në top 4-she te VV është edhe lideri i saj, Albin Kurti. Kryeministrit në detyrë iu hoqën 487 vota pas procesit të rinumërimit të vota.
Diçka më mirë gjërat qëndrojnë te Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kandidati me numër 23 në listë, Besnik Krasniqi ka më së shumti vota te keqpërdorura te AAK-ja.
Krasniqit iu hoqën 318 vota, ndërsa pas tij qëndron Burim Ramadani me 281 vota, Hamdi Komoni me 231 vota e Tringa Morina me 175 vota.
Procesi i rinumërimit të votave po shkon drejt përfundimit. Deri më tani janë rinumëruar 91.32 për qind të vendvotimeve.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, procesi i rinumërimit pritet të përfundojë nesër (e premte).
Në lidhje me kepqërodrimet e votave, Prokuroritë përkatëse në Kosovë nën drejtimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit kanë marrë veprimet fillestare duke arritur ndalimin e mbi 100 të dyshuarve.
Vetëm në Prizren 109 të përfshirë në keqpërdorimet e votave u ndaluan për 48 orë nga Prokuroria Themelore në këtë komunë.
Ngjashëm u veprua edhe nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, ku në Malishevë 15 kryesues të komisionerëve iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaj.
Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve, Laura Paula, ka paralajmëruar se Prokuroritë Themelore në qendrat tjera pritet të veprojnë njësoj sikurse ato në Prizren e Gjakovë.














