Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar të martën aktgjykimin e plotë për rastet KO256/26 dhe KO258/26, përmes të cilit ka trajtuar kushtetutshmërinë e konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së Kryesisë dhe Qeverisë, si dhe afatin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Aktgjykimi, i cili është marrë më 23 shtator, përmban një arsyetim të gjerë mbi mënyrën se si duhet të interpretohen afatet kushtetuese dhe pasojat e tejkalimit të tyre, shkruan Insajderi.
Në vendimin e saj, Gjykata ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, por njëkohësisht ka sqaruar se tejkalimi i këtij afati nuk nënkupton shpërndarjen automatike të Kuvendit.
Sipas Gjykatës, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit janë certifikuar nga KQZ-ja më 8 korrik të këtij viti. Për këtë arsye, afati 30-ditor për përfundimin e konstituimit të Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht.
Gjykata rikujton se sipas nenit 66 të Kushtetutës, seanca konstituive nuk duhet vetëm të fillojë brenda këtij afati, por duhet të përfundojë me të gjitha elementet thelbësore të konstituimit.
Këto elemente, sipas aktgjykimit, përfshijnë verifikimin e mandateve të deputetëve, betimin e tyre, zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e nënkryetarëve.
“Procedura për fillimin dhe përfundimin e Seancës Konstituive është e rëndësisë substanciale dhe funksionale”, thuhet në aktgjykim, ku Gjykata thekson se brenda afatit duhet të realizohen të gjitha veprimet kushtetuese që rezultojnë në konstituimin e Kuvendit.
Pse Gjykata e konsideroi të kaluar afatin?
Gjykata ka marrë për bazë faktin se rezultatet ishin certifikuar më 8 korrik, ndërsa seanca konstituive kishte nisur më 6 gusht.
Megjithatë, më 6 gusht deputetët vetëm i kishin verifikuar mandatet dhe kishin dhënë betimin. Zgjedhja e Kryetares së Kuvendit u bë më 9 shtator, ndërsa procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve vazhdoi më 11 dhe 13 shtator.
Sipas Gjykatës, kjo do të thotë se konstituimi nuk ishte përfunduar brenda 30 ditëve dhe se afati kishte skaduar më 7 gusht.
Gjykata ka vërejtur gjithashtu se pas seancës së 8 gushtit, vazhdimi i Seancës Konstituive nuk u mbajt deri më 9 shtator. Në aktgjykim rikujtohet edhe rregulli i Rregullores së Kuvendit se ndërprerjet gjatë Seancës Konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.
Për Gjykatën, Rregullorja e Kuvendit ka fuqi detyruese dhe Kryesuesi i Seancës Konstituive duhet t’i ushtrojë kompetencat në mënyrë që të sigurojë vazhdimin e saj brenda afateve kushtetuese dhe procedurale.
Tejkalimi i afatit nuk e shpërndan automatikisht Kuvendin
Një nga sqarimet më të rëndësishme të aktgjykimit është se kalimi i afatit 30-ditor nuk e shpërndan automatikisht Kuvendin dhe nuk sjell automatikisht zgjedhje të reja.
Gjykata thekson se Kushtetuta nuk përcakton se dështimi për konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve ka si pasojë shpërndarjen e tij.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se afati 30-ditor është thjesht orientues.
Sipas Gjykatës, afati është detyrues dhe duhet respektuar, por duhet dalluar karakteri detyrues i normës nga pasojat juridike që Kushtetuta ia lidh mosrespektimit të saj.
“Karakteri detyrues i një dispozite kushtetuese duhet dalluar nga përcaktimi i pasojave që rrjedhin nga mosrespektimi i saj”, thuhet në aktgjykim.
Gjykata shton se, edhe pas kalimit të afatit, deputetët nuk lirohen nga detyrimi për ta përfunduar konstituimin e Kuvendit.
Afati 30-ditor ka prodhuar pasoja për afatet tjera kushtetuese
Sipas aktgjykimit, edhe pse tejkalimi i afatit nuk e shpërndan automatikisht Kuvendin, ai nuk është pa efekt juridik.
Gjykata ka lidhur skadimin e afatit për konstituimin e Kuvendit me fillimin e afateve të tjera kushtetuese, veçanërisht me procedurën për zgjedhjen e Presidentit.
Kështu, Gjykata ka konstatuar se afati për zgjedhjen e Presidentit ka filluar të rrjedhë më 8 gusht 2026.
Ai afat prej 60 ditësh, sipas Gjykatës, përfundon më 6 tetor 2026.
“Prandaj, duke marrë për bazë domosdoshmërinë e funksionimit të institucioneve kushtetuese, përkatësisht vazhdimin e funksionimit të institucionit të Presidentit, me mandat dhe pushtet të plotë kushtetues, Gjykata konsideron që Kuvendi deri më 6 tetor 2026 duhet zhvilluar dhe përfunduar procedura për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në aktgjykim.
Çfarë ndodh nëse Presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor?
Gjykata ka përcaktuar edhe pasojën nëse Presidenti i ri nuk zgjidhet brenda këtij afati.
Sipas saj, nëse pas hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi Kuvendi dështon ta zgjedhë Presidentin deri më 6 tetor, atëherë Kuvendi shpërndahet, në bazë të nenit 82 të Kushtetutës.
Pas kësaj, sipas Gjykatës, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga dita e shpërndarjes së Kuvendit.
Pra, aktgjykimi nuk thotë se tejkalimi i afatit të konstituimit më 7 gusht e ka shpërndarë Kuvendin. Përkundrazi, Gjykata ka lidhur pasojën eventuale të shpërndarjes me dështimin për zgjedhjen e Presidentit deri më 6 tetor.
Gjykata: Votimi i nënkryetarëve veç e veç ishte kushtetues
Një tjetër çështje e trajtuar në aktgjykim ishte vendimi i 11 shtatorit që nënkryetarët të votohej veç e veç dhe jo në pako.
Gjykata ka konstatuar se Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit nuk përcaktojnë detyrim që nënkryetarët të votohen domosdoshmërisht në pako.
Sipas saj, mënyra e votimit, në pako ose veç e veç, mbetet në vullnetin e deputetëve, me kusht që mënyra e propozuar e votimit t’i nënshtrohet votimit nga shumica e deputetëve të zgjedhur.
Për këtë arsye, Gjykata ka vlerësuar se vendimi për votimin veç e veç të nënkryetarëve nuk është në kundërshtim me nenin 67 të Kushtetutës.
PDK-ja nuk e ka humbur të drejtën për nënkryetarin
Në një pjesë tjetër të rëndësishme, Gjykata ka trajtuar pozitën e nënkryetarit që i takon grupit të dytë më të madh parlamentar.
Propozimi i PDK-së për Vlora Çitakun kishte marrë 44 vota për, një kundër dhe 56 abstenime dhe nuk ishte miratuar.
Më pas, PDK-ja kishte njoftuar se po e tërhiqte përkohësisht kandidaturën dhe se do t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata ka bërë një dallim të rëndësishëm: tërheqja e përkohshme nuk konsiderohet heqje dorë nga e drejta kushtetuese për propozimin e nënkryetarit.
“Gjykata konsideron që e drejta për të propozuar dhe zgjedhur Nënkryetaren nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar nuk ishte konsumuar”, thuhet në aktgjykim.
Për këtë arsye, Gjykata ka konstatuar se deputetët duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me nenin 67 të Kushtetutës.
Qeveria e Albin Kurtit nuk u shpall antikushtetuese
Gjykata ka shqyrtuar veçmas edhe zgjedhjen e Qeverisë më 13 shtator.
Parashtruesit e kërkesës kishin argumentuar se Qeveria nuk mund të zgjidhej nga një Kuvend që nuk ishte konstituuar në mënyrë të rregullt.
Megjithatë, Gjykata ka konstatuar se vendimi për zgjedhjen e Qeverisë nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës.
Gjykata ka rikujtuar se sipas nenit 95, Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, pra të paktën 61 vota.
Në rastin konkret, Gjykata ka vlerësuar se vendimi i 13 shtatorit për zgjedhjen e Qeverisë ishte nxjerrë brenda afateve të përcaktuara dhe në përputhje me nenin 95 të Kushtetutës.
Çfarë vendosi përfundimisht Gjykata?
Gjykata Kushtetuese konstatoi se Kuvendi është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues 30-ditor, ndërsa kalimi i këtij afati ka bërë që të fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit dhe të Qeverisë.
Në aktgjykim, Gjykata kërkoi gjithashtu që sa më parë të zgjidhet nënkryetari i Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar.
Sa i përket Qeverisë së zgjedhur më 13 shtator, Gjykata konstatoi se vendimi për zgjedhjen e saj nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës.
Ndërkohë, Gjykata përcaktoi se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka filluar të rrjedhë më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Po ashtu, ajo refuzoi kërkesën për caktimin e masës së përkohshme.
Në fund, Gjykata përcaktoi se aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij.













