Kushtëzimi rrugës së Kosovës drejt Këshillit të Evropës ka nxitur reagime të shumta në vend. Për vendosjen e këtyre kushteve opozita e ka bërë përgjegjës Qeverinë Kurti. Përfaqësuesit e partive opozitare kanë bërë me dije se vendosja e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE ka ndodhur për fajin e Qeverisë.
Sipas tyre, ky paraqet një dështim serioz diplomatik.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka treguar se pse disa aleatë kanë vendosur kushte për Kosovën.
“Qeveria aktuale në fillim të mandatit e braktisi dialogun për njohje reciproke, të nisur në qeverinë paraprake me mbështetje të aleatëve. Vendosi kushte për dialog, të cilat nuk u morën parasysh as nga ndërmjetësi i BE-së, e as nga aleatët. E nisi dialogun pa kushte. E pranoi marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, e cila në qendër nuk e ka njohje reciproke, por i ka garancitë për vetë-menaxhim për komunitetin serb dhe kishën ortodokse serbe. Në nëntor 2023, e pranoi nga BE-ja draft-statutin e asociacionit, të cilin nuk e refuzoi.”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, qeveria nuk duhet të çuditet për kushtëzimin.
“Tani çuditet pse dërgimi i atij drafti në Gjykatën Kushtetuese po i vendoset si kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kjo qeveri i ka bërë dëm të madh dhe afatgjatë integrimit euro-atlantik të Kosovës, duke na kurthuar në një marrëveshje që nuk parasheh njohjen, që e liron Serbinë nga ky obligim në progresin e saj drejt BE-së”, ka shkruar Hoti.
Edhe sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë me dije se Qeveria Kurti është fajtore për kushtëzimin e anëtarësimi të Kosovës në Këshill të Evropës.
Ajo ka treguar se ky kushtëzim ka ardhur pasi aleatët e Kosovës e kanë humbur besimin në Qeverinë Kurti.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, Çitaku ka thënë se zotimi i tre krerëve institucionalë në letrën drejtuar KiE-së për formim të Asociacionit ka legjitimuar kërkesën e aleatëve për t`i vendosur kushte Kosovës në rrugën e saj drejt KiE-së.
“Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KE, me çështjen e Asociacionit është kryekëput rezultat i humbjes së besimit të aleatëve tanë në lidershipin e krerëve të institucioneve të Kosovës. Letra e dërguar nga Osmani, Konjufca dhe Kurti, dhe zotimi i dhënë aty për themelimin e Asociacionit, e legjitimoi kërkesën e aleatëve tanë”, ka thënë Çitaku.
Sipas saj, tani aleatët nuk i besojnë më Qeverisë së Kosovës.
“Tani, problemi është që aleatët nuk po iu besojnë me zotimeve të Kurtit&co. Po kërkojnë veprime konkrete. Kurtit po i kërkohet të veprojë në zotimet që i ka dhënë vet. Kjo dëshmon një paaftësi flagrante të lidershipit të Kosovës për të lexuar dhe kuptuar qartë dhe drejtë mesazhet dhe komunikimin diplomatik”, është shprehur Çitaku.
Ndërsa, lideri i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se kushtëzimi i Kurtit është kthyer në kushtëzim për Kosovën.
“Kurti ka dërgu letër për anëtarësim në Këshillin e Evropës ku zotohet që do t’i plotësojë krejt kërkesat politike që vijnë nga dialogu i Brukselit. Sot po ankohet që anëtaresimi i Kosovës në Këshill të Evropës po ndërlidhet me dialogun e Brukselit. Kushtëzimet e Kurtit u shndërruan në kushtëzime për Kosovën”, ka shkruar Molliqaj në profilin e tij në “Facebook”.
Kushtet e aleatëve ndaj Kosovës i ka komentuar edhe ish-kryeinspektori i AKI-së, ka thënë se kushtëzimin ka ndodhur për shkak të arrogancës së kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani ndaj ambasadorëve të vendeve të QUIN-it.
“Osmani e Kurti ishin shumë arrogantë ndaj Ambasadorëve të Kuintit gjatë takimit më 3 prill 2024. Atë ditë, ambasadorët e Kuintit paraqitën kushtin e shteteve të tyre për mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Diskutimi me arrogancë kishte arritur edhe në nivel të toneve të larta, madje vetëm fjala “pushtues” mungoi! Arroganca e 3 prillit e dobësoi vlerën e Letrës së Garancive të datës 22 mars 2024”, ka shkruar ai.
Ai ka treguar se në reagimin e Qeverisë ka një mosqartësim serioz dhe të qëllimshëm.
“Dërgimi i Draft-Statutit në Gjykatë Kushtetuese nuk është kusht për anëtarësim në KiE, por është kusht i disa shteteve për të votuar Pro! Pra, ka dallim thelbësor! Kushdo mund të bëjë kallaballëk fjalësh, por sikurse jemi mësuar, assesi s’po mund ta thonë troç të vërtetën! E vërteta është se ky paraqet një dështim serioz diplomatik të Kosovës! Kosova ka dështuar të merr mbështetjen e shteteve të Kuintit që janë anëtare në KiE për të votuar Pro anëtarësimit të Kosovës! Ka dështuar t’i bind këto shtete për të marrë votën e tyre! Me arrogancë nuk binden, por me argumente të qëndrueshme. Po të largonin arrogancën, jam i bindur se 4 shtetet e Kuintit në KiE do të ishin fleksibile në raport me Draft-Statutin!”, ka shkruar Ramadani.
Çka tha Kurti?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot për herë të parë ka pranuar se rrugëtimin i Kosovës drejt Këshillit të Evropës është kushtëzuar me dërgimin e draft-statutit të Asociacionit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetues.
Pasi ka përshkruar rrugëtimin e deritashëm të Kosovës drejt kësaj organizate, ai ka treguar kushtin e disa vendeve ndaj Kosovës.
“Pas tërë këtij rrugëtimi të shoqëruar me progres të vazgdueshëm për të drejtat e njeriut, demorkacinë dhe sundimit ligjin, vlerësimet e KIE-së, këto javë u përballëm me një kusht të ri i cili nuk ka të bëjë me standradet e naëtarësimit në organizatë. Pas kushtit që të zbatohet njëaktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, në dëgjuam që ka kryeqytete që po kushtëzojnë finalizimin e procesit me dërgimin e një dokumenti në Kushtetuese.”, është shprehur ai.
Kurti ka thënë se dokumentin s’e ka pranuar Serbia:
“Ky dokument i sjellur nga Lajçak, së bashku me këshilltarët diplomatikë të QUINT-it nuk u pranua më 26 tetor të vitit të kaluar. Kosova ka ofruar që ai të bëhet pjesë e pakos së marrëveshje bazike, dhe të nënshkruhet për t’u bërë ligjërisht i obligueshëm e zbatueshëm, u pat refuzuar nga Serbia. Refuzimi s’është pranim, është refuzim”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, kjo kërkesë ka është absurde.
“Kjo kërkesë ka qenë edhe mbetet absurd, tri herë u tentua të futet kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim dy herë në Komitetin për Çështje Politike, e po ashtu gjatë mbledhjes së asamblesë së përgjithshme, që të tri hera u refuzuar.”, ka deklaruar ai.