Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ku pritet të zgjidhet kryetari i ri i partisë ose të vazhdohet me Lumir Abdixhikun, do të mbahet me dyer të mbyllura.
Përmes një njoftimi për media, LDK-ja ka bërë të ditur se mediat mund të qëndrojnë në sallë vetëm gjatë fjalës së kryetarit Abdixhiku.
Vazhdimi i Kuvendit më pas do të mbyllet për media, bëhet e ditur në njoftimin e kësaj partie.
“Ju njoftojmë që nesër (e shtunë), datë 31 janar 2026 Lidhja Demokratike e Kosovës mban Kuvendin e punës. Kuvendi fillon punimet nga ora 12:00. Mediet ftohen të përcjellin fjalën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Lumir Abdixhiku pastaj do të lirojnë sallën, ndërsa pas Kuvendit do të ketë deklarim”, thuhet në njoftim.
Kryetari Abdixhiku ka kërkuar votëbesim pas rezultatit të dobët që mori partia në zgjedhjet e fundit, duke krijuar një praktikë të re në LDK.
Ai kishte deklaruar se do të japë dorëheqje, mirëpo për dallim nga dorëheqjet e kaluara, dorëheqja e Abdixhikut pritet të votohet nga delegatët e partisë.
Përndryshe, Abdixhiku ka për kundërkandidat nënkryetarin e partisë, Avdullah Hotin.















