Një person ka përfunduar në ndalim policor pasi tentoi t’i japë ryshfet një zyrtari policor në Vushtrri, në përpjekje për të shmangur masat ligjore ndaj tij.
Gazeta Sinjali raportoi se se rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në rrugën “Viciana” në Vushtrri, ku njësia policore ndodhej në pikë kontrolli.
Gjatë kësaj kohe, policia ndaloi një veturë dhe pas verifikimeve, konstatoi se të dyshuari e kishte të konfiskuar patentë shoferin për shkak të një mase mbrojtëse prej 3 muajsh.
Sipas informatave të siguruara nga Gazeta Sinjali, derisa zyrtari policor po e njoftonte për procedurat ligjore – përfshirë shqiptimin e një tikete, zgjatjen e masës mbrojtëse për 6 muaj dhe konfiskimin e automjetit – i dyshuari ka tentuar t’i japë ryshfet një monedhë prej 20 eurosh në dorën e djathtë të zyrtarit policor.
Gazeta Sinjali zbulon se personi që tentoi t’i korruptojë policët është: Egzon Mustafa, 34-vjeçar, i cili u arrestua menjëherë nga Policia.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar për krime të rënda, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.
Rasti është iniciuar si “Dhënie ryshfeti” dhe është në fazën e hetimeve.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.