Një zyrtar policor është denoncuar nga e fejuara e tij se kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.
Klankosova.tv mëson se në pranga ka përfunduar zyrtari policor Muhamet Ukshini, i cili akuzohet për veprën penale “Dhunë në familje”.
Lidhur me rastin detaje ka dhënë zëdhënësi i IPK-së Arbër Beka.
Beka deklaroi se hetuesit e Inspektoratit Policor kanë arritur të sigurojnë dëshmi se zyrtari policor i përfshirë ka përdorur dhunë dhe kërcënime ndaj ankueses.
“Bazuar në këto rrethana, me dyshimin se zyrtari policor ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”, i njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, deklaroi Beka.
Ai theksoi se në kuadër të veprimeve të natyrës administrative dhe në interes të hetimit, IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e tij.
Vërejtje: Personi i përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohet i pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.