Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, e ka cilësuar të pamjaftueshëm nismën e PDK-së për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Mihaili, në një shkrim në rrjetin social Facebook, është shprehur skeptike, ashtu si lideri i partisë së saj, mbi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara duke thënë se ‘ndryshimi i ligjit nuk mjafton’.
Tutje, ajo ka kritikuar ata që vetë e kanë themeluar këtë Gjykatë e që sipas saj, ende nuk kanë kërkuar falje për themelimin e Speciales.
“Ata që e sollën, e votuan, e themeluan ende nuk kërkuan falje. Ende nuk u distancuan. E kundërta, disa prej tyre po e lavdërojnë se si kanë bërë mirë që është themeluar”, ka shkruar ajo.
Reagimi i plotë:
Ne kemi qenë kundër Gjykatës speciale dje.
Ne ende jemi kundër saj.
Gjithmonë, deri në mbyllje, zhbërje të dëmeve të saj.
Por tani rrugë të shkurtra nuk ka e as nuk bëhen dot.
Ka mbetur rruga e gjatë e apelit dhe betejës juridike.
Ndryshimi i ligjit nuk mjafton!
Ata që e sollën, e votuan, e themeluan ende nuk kërkuan falje. Ende nuk u distancuan. E kundërta, disa prej tyre po e lavdërojnë se si kanë bërë mirë që është themeluar.
Sot Kosova, trashëgimia e luftës çlirimtare kanë pësuar dëm të madh nga formimi i kësaj gjykate të padrejtë.
E as viktimave nuk po u bëhet drejtësi sepse askush nuk po u tregon se çka ndodhi me ta dhe nga kush.
Ndryshimi i ligjit nuk mjafton!
Simulimi i tensioneve, përfshirë ato ndërpersonale, pa nevojë karshi njëri – tjetrit nga vet PDK apo një fraksion i saj rreth kuvendit edhe ndaj ambienteve të Kuvendit nuk ka as kuptim as justifikim.
Askush në Kosovë nuk ua ka fajin. Gjykatën e keni prodhuar vet. Përkundrazi krejt po ndihmojmë në atë proces që juve po ju duhet praktikisht me pastru ndërgjegjen tuaj para krejt neve.
Por kjo rrugë që po ndiqni as nuk i liron ata që sot mbahen në burg, as nuk e ndryshon vendimin e Gjykatës dhe as nuk zgjidh asgjë në raport me çka është thënë për ta gjatë gjyqit dhe në vendim.
Shumë dëme keni lënë pas. Shumë.













